Ndërlidhjet

SHBA: Debat për ta ndalur shitjen e aeroplanëve Boeing në Iran


Ilustrim
Ilustrim

Një nënkomitet i Dhomës Përfaqësuese të Kongresit të Shteteve të Bashkuara debaton të enjten për legjislacionin me të cilin nuk do të lejohej shitja e aeroplanëve të udhëtarëve të tipit Boeing në Iran, që konsiderohet se do të ishte transaksioni më i madh biznesor ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, prej vitit 1979.

Gjatë dëgjimit “do të ekzaminohet marrëveshja atomike e administratës Obama me Iranin dhe se si ajo e ka hapur derën për shitjen e aeroplanëve të prodhimit amerikan në shtetin udhëheqës në botë, që e sponsorizon terrorin”, tha republikani, Bill Huizenga, kryesuesi i Nënkomitetit të shërbimeve tregtare financiare të Dhomës Përfaqësuese.

“Jam ekstremisht i shqetësuar se nga relaksimi i normave, administrata Obama u ka lejuar kompanive të Shteteve të Bashkuara, që të jenë bashkëfajtore në armatimin e regjimit të Iranit”, thotë zoti Huizenga.

Një ndihmës në këtë nënkomitet i ka thënë agjencisë Reuters se, me kundërshtimin universal të republikanëve ndaj marrëveshjes atomike, ky nënkomitet, me gjasë, do ta miratojë legjislacionin, megjithëqë koha e votimit ende nuk është caktuar.

Republikanët e kanë kontrollin në Dhomën Përfaqësuese dhe në Senatin e Shteteve të Bashkuara.

Pritet që demokratët do ta kundërshtojnë legjislacionin, ndërsa presidenti, Barack Obama, mund të vendos veto, nëse legjislacioni kalon në të dy dhomat e Kongresit.

Udhëheqësi në kompaninë Boeing, Timothy Keating, muajin e kaluar i tha nënkomitetit se Kongresi e ka ditur për shitjen dhe qiranë e 110 aeroplanëve të udhëtarëve për kompaninë IranAir, në vlerë prej 17.6 miliardë dollarësh, që parashihej me marrëveshjen atomike.

“Na ishte bërë e qartë në këto konsultime se mundësia e furnizimit të kompanisë ajrore iraniane me aeroplanët e udhëtarëve nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, për ta zëvendësuar flotën e vjetruar të tyre, ishte kryesore dhe esenciale për arritjen e marrëveshjes”, tha zoti Keating në një letër.

Një legjislacion në nënkomitet do ta ndalonte Departamentit amerikan të Thesarit që ta jepte licencën për shitjen e Boeingut për kompaninë, IranAir.

Nënkomiteti, po ashtu, planifikon të debatojë për legjislacionin për parandalimin e Departamentit të Thesarit që t’i autorizojë bankat amerikane për ta financuar marrëveshjen dhe për mos lejmin e bankës Export - Import për financimin e projekteve në Iran.

Megjithatë, marrëveshja e kompanisë Boeing nuk pritet të mbështetet me financimin e bankës Export – Import.

Kryesuesi i Komitetit të shërbimeve financiare të Dhomës Përfaqësuese, Jeb Hensarling, republikan nga Teksasi, dhe republikani nga Ilinoisi, Peter Roskam, muajin e kaluar, i kanë shkruar letër kompanisë Boeing, duke e përshkruar Iranin si “furnizuesin qendror të terrorizmit” dhe se “kompanitë amerikane nuk duhet të jenë bashkëfajtore në armatimin e regjimit të Iranit”.

Dëshmitë e dërguara nga pjesëmarrësit në dëgjim tregojnë se do të paraqiten zëra me shqetësime të ngjashme.

“Shitja e aeroplanëve të tillë në Iran, dhe në veçanti për IranAir, shtron shqetësime serioze se aeroplanët e këtillë do të përdoren në trafik të armatimit ilegal dhe militantët në Siri, në mbështetje të presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad, pastaj te Hezbollahu në Liban dhe te militantët në Jemen”, ka shkruar Eric Lorber, nga Rrjeti i Integritetit Financiar.

Më tutje, ai ka shkruar se “kjo frikë është e arsyeshme, derisa kërkimet aktuale kanë treguar se IranAir, sikur edhe entiteti Maham Air, rregullisht fluturojnë me aeroplanë komercialë në Siri dhe Liban, që janë të njohura - ose ka dyshime – për transportim të armatimit, të parave të gatshme nga aktivitetet ilegale ose të militantëve të jashtëm”.

Dërgimi i aeroplanëve të kompanisë Boeing parashihet të fillojë në vitin 2017 dhe të vazhdojë deri në vitin 2025.

Airbus, rivali evropian i Boeingut, po ashtu, pritet se do të shesë aeroplanë në Iran.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG