Ndërlidhjet

logo-print

Femrat të diskriminuara në paga krahasuar me meshkujt


Ilustrim

Ilustrim

Pavarësisht ligjeve ekzistuese kundër diskriminimit gjinor dhe diskriminimit në punë, në Kosovë në shumë raste femrat paguhen më pak për punën e njëjtë që kryejnë, krahasuar me meshkujt.

Kjo dukuri është e shprehur më shumë në sektorin privat, derisa në sektorin publik femrave në shumë raste nuk iu jepet mundësia që të udhëheqin pozita të larta vendimmarrëse, ku pagat për ato pozita janë më të larta.

Janë të dhënat zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, si dhe hulumtimet e bëra nga organizatat joqeveritare që merren më barazi gjinore, të cilat flasin për këtë diskriminim që iu bëhet femrave në raport me pagën.

Rezultatet e fundit të Anketës së fuqisë punëtore të cilat flasin për vitin 2015, tregojnë se “janë vërejtur dallime gjinore me një tendencë të lehtë që meshkujt të marrin paga më të larta sesa femrat”.

Diskriminimi në paga që iu bëhet grave në Kosovë theksohet edhe nga organizatat joqeveritare.

Luljeta Demolli, drejtoreshë ekzekutive në Qendrën për Hulumtime dhe Studime Gjinore, në një prononcim dhënë për Radion Evropa e Lirë thotë se legjislacioni në Kosovë mbron parimin e barazisë edhe në rastin e pagave, por, që në disa raste këto ligje nuk respektohen, në veçanti kur kemi të bëjmë me sektorin privat.

“Në sektorin privat është i pranishëm fakti se femrat paguhen më pak se meshkujt, pavarësisht pozitës së njëjtë mbajnë. Ka raste ku në një kompani private një menaxher paguhet me shumë sesa një menaxhere, apo një këshilltare paguhet më pak se një këshilltar. Kjo tregon një diskriminim gjinor”, thotë Demolli.

Të gjitha diskriminimet eventuale që mund t’u jenë bërë femrave të punësuara në Kosovë në raport me pagën, nuk janë raportuar ndonjëherë në institucionet përkatëse.

Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Basri Ibrahimi, nuk e përjashton mundësinë se mund të ketë dallime të tilla eventuale, por që tregon se nuk ka pasur ndonjë ankesë të tillë.

“Ne kemi shumë lloje të ankesave, për mos respektim të kontratave të punës, për siguri në punë, për orarin e punës, për pushim të lehonisë, por deri më tani asnjëherë nuk kemi pasur ndonjë ankesë që femrat janë të diskriminuara në pagë për atë vetëm se janë femra, dhe e bëjnë të njëjtën punë”, thotë Ibrahimi.

Një problematikë tjetër e cila paraqitet në aspektin gjinor tek të punësuarat në sektorin publik, sipas Luljeta Demollit, drejtoreshë ekzekutive në Qendrën për Hulumtime dhe Studime Gjinore, është mos avancimi i femrave në pozita të larta.

“Në Kosovë në sektorin publik ka mungesë të grave në pozita të caktuara...ato nuk avancohen në pozita vendimmarrëse, pozita që kanë koeficient më të lartë ku do të arrinin të kishin një pagë më të lartë, dhe rrjedhimisht ky është dallimi që iu bëhet grave në sektorin publik”, shprehet Demolli.

Sidoqoftë, problemi i diskriminimit në vendin e punës nuk është thjesht një dukuri, me të cilën preokupohen vetëm gratë në Kosovë.

Organizata Ndërkombëtare e Punës në Kombet e Bashkuara, më herët ka bërë me dije se gratë, në shumë shtete në botë, të cilat janë më mirë të arsimuara dhe me më shumë përvojë sesa kolegët e tyre meshkuj, vazhdojnë të paguhen më pak.

Ndryshe, shkalla e punësimit, sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, është më e lartë për meshkuj se për femra: “38.7 për qind e meshkujve në moshë pune ishin të punësuar krahasuar me 11.3 për qind të femrave në moshë pune”.

Derisa, në katër vitet e periudhës 2012-2015, shumica e punonjësve në Kosovë merrnin pagë mujore 300 deri 400 euro. (REL)

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG