Ndërlidhjet

Dallas: Janë vrarë 5 policë gjatë protestave ndaj vrasjes së dy afrikano-amerikanëve


Policia në rrugën kryesore në Dallas pas të shtënave me snajperë kundër policëve gjatë demonstratës
Policia në rrugën kryesore në Dallas pas të shtënave me snajperë kundër policëve gjatë demonstratës

Pesë oficerë të policë janë vrarë dhe 6 të tjerë janë plagosur nga të shtënat me snajperë, gjatë protestës kundër dy vrasjeve aktuale të personave afrikano-amerikanë nga policia, kanë thënë autoritetet e Shteteve të Bashkuara.

Policia në Dallas tha se së paku dy snajperë kanë shtënë “në stilin e pritës” kundër oficerëve mbrëmë vonë.

Tre të dyshuar janë arrestuar, ndërsa i katërti kishte shkëmbyer të shtëna me pjesëtarët e rendit në një vend parkimi në qendër të qytetit, tha sot herët në mëngjes, shefi i policisë së Dallasit, David Brown.

Policia, po ashtu, tha se ekipi i hetimeve po e shqyrton një pako të dyshuar të gjetur afër vendit ku ishte një i dyshuar.

Të shtënat kanë ndodhur derisa në disa qytete amerikane mbrëmë janë mbajtur protesta, kryesisht paqësore.

Me këto protesta kundërshtohej vrasja e dy personave afrikano-amerikanë nga policia.

Një rast ka ndodhur afër vendit St. Paul në Minesotë më 6 korrik, kur është vrarë Philando Castile.

Dashnorja e tij, Diamond Reynolds, në mediat sociale e ka postuar një video ku shihet Castile duke vdekur në rrëke të gjakut.

Një ditë më parë, më 5 korrik, është vrarë Alton Sterling, pas një grindjeje me policët e bardhë në Baton Rouge në Luizianë.

Presidenti amerikan, Barack Obama, këto vrasje i ka cilësuar si tragjike.

“Të gjithë ne si amerikanë duhet të jemi të shqetësuar nga këto të shtëna, pasi ato nuk janë incidente të izoluara. Ato janë shenjë e një kompleksi të gjërë të pabarazive, që ekzistojnë në sistemin tonë gjyqësor penal”, tha Barack Obama.

XS
SM
MD
LG