Ndërlidhjet

Obama: Nuk ka arsyetim për sulmet “mizore” në Dallas


Policia e Dallasit e ka bllokuar një rrugë në këtë qytet pas vrasjes së pesë oficerëve të saj nga të shtënat snajperike

Policia e Dallasit e ka bllokuar një rrugë në këtë qytet pas vrasjes së pesë oficerëve të saj nga të shtënat snajperike

Presidenti amerikan, Barack Obama, tha se sulmi fatal kundër oficerëve të policisë në Dallas, ishte akt “mizor, i kalkuluar dhe i neveritshëm” dhe se ai nuk mund të arsyetohet. Këto komente Obama i ka bërë sot në Varshavë, ku po merr pjesë në samitin dyditësh të NATO-s.

Nga Varshava, presidenti Obama dënoi sulmet dhe u zotua që t’i sjell para drejtësisë personat përgjegjës.

“Ka pasur një sulm të ligë, të përllogaritur mirë dhe të neveritshëm ndaj forcave të zbatimit të ligjit”, tha Obama gjatë një konference për media, duke shtuar se zyrtarët policorë ishin shënjestruar nga disa të dyshuar.

“Pa dyshim që duhet të mësojmë më shumë rreth motiveve të tyre të liga. Le të jemi të qartë. Nuk ka asnjë arsyetim të mundshëm për këso lloj sulmesh apo çfarëdo akti të dhunës kundër forcave të rendit”, tha Obama.

Ai shtoi se kushdo që është i përfshirë në vrasje të pakuptimta do të mbajë përgjegjësi të plotë dhe se për këtë do të vendos drejtësia.

Pesë policë në Dallas u vranë dhe 6 të tjerë u plagosën nga snajperistët gjatë protestës kundër dy vrasjeve aktuale të afro amerikanëve nga pjesëtarët e policisë në Minesota dhe Luizianë.

Policia e Dallasit tha se mbrëmë vonë së paku dy snajperistë kishin sulmuar “në stilin e pritës” kundër oficerëve.

Policia ka njoftuar se tre vetë janë në arrest, ndërsa personi i katërt i dyshuar kishte këmbyer të shtëna me pjesëtarët e rendit, në një garazh për parkim në qendër të qytetit.

Mediet lokale kanë raportuar se i dyshuari i katërt ka vdekur nga të shtënat e vetë-shkaktuara.

Sulmi i mbrëmshëm ndodhi kur protestuesit po marshonin nëpër Dallas, në shenjë proteste kundër të shtënave dhe vrasjes së dy afro amerikanëve në dy incidente të ndara gjatë javës.

Në njërin prej tyre, Philando Castile u vra nga një polic në afërsi të St.Paul në Minnesota, të mërkurën, më 6 korrik.

E dashura e tij, Diamond Reynolds, postoi një video në rrjetet sociale, e cila e tregonte Castile duke ndërruar jetë, të mbuluar nga gjaku.

Castile, 32 vjeçar, ishte ndalur nga policia për shkak të një drite të thyer të automobilit. Ai ishte gjuajtur nga policia, pasi paraprakisht u kishte treguar atyre se kishte me vete një armë, për të cilën kishte leje për ta mbajtur me vete, dhe më pas kishte futur dorën në xhep për ta marrë kuletën, tregon Reynolds.

Vetëm një ditë më herët, Alton Sterling ishte vrarë gjatë një zënke fjalësh me dy policë në Baton Rouge të Louisianas.

Një video e incidentit tregon babën e pesë fëmijëve që vritet nga policët, pas disa gjuajtjeve me armë. Edhe kjo video u përhap shumë në rrjetet sociale në mbarë botën.

Ndërkohë, protestuesit mbyllën një prej rrugëve kryesore të Chicagos për rreth 10 minuta, përderisa në Nju Jork, qindra protestues bllokuan trafikun në Times Square, në zemër të Manhattan, duke brohoritur: “Duart lart, mos gjuaj”. Policia më vonë pastroi zonën ku po protestohej.

Ndërsa në St.Paul në Minnesota, vendin ku u vra Castile nga polici, rreth 1,000 njerëz u mblodhën para rezidencës së guvernatorit, duke bartur parulla të ndryshme në shenjë proteste.

Guvernatori i Minnesotas, Mark Dayton, u paraqit shkurt dhe tha se beson se vrasja e Castile mund të ketë qenë një rast i racizmit dhe se hetimet janë duke u zhvilluar.

Përdorimi i forcës nga policia kundër afro-amerikanëve në qytete të ndryshme, nga Fergusoni, Missouri, deri në Baltimore dhe Nju Jork, gjatë dy viteve të fundit, kanë shkaktuar shpërthimin e protestave, ndonjëherë të dhunshme dhe kanë nxitur krijimin e një lëvizjeje të quajtur “Black Lives Matter”, që do të thotë, “Jetët e afro-amerikanëve janë të rëndësishme”.

XS
SM
MD
LG