Një grup monitorues thotë se së paku 15 civilë janë vrarë sot gjatë sulmeve ajrore nga aeroplanët e paidentifikuar kundër qytetit Darkush, në pjesën veriperëndimore të Sirisë, që është nën kontroll të militantëve.
Observatori sirian për të drejtat e njeriut, me seli në Londër, që i ka monitoruesit në terren, tha se 40 persona të tjerë janë plagosur në këto sulme në Darkush, që është nën kontroll të Frontit al-Nusra, që është grup i afërt me al-Kaidën.
“Së paku 15 vetë janë vrarë, përfshirë një fëmi dhe 6 gra”, tha shefi i këtij observatori, Rami Abdelrahman.
Më 6 korrik, qeveria e Sirisë ka shpallur një armëpushim 72 orësh në gjithë vendin për festën e Bajramit.
Nuk është e qartë nëse në këtë armëpushim përfshihen hapësirat nën kontrollin e al-Nusrës.
Prej vitit 2011, kur ka filluar lufta civile në Siri, janë vrarë më se 280 mijë njerëz.