Ndërlidhjet

logo-print

Stoltenberg: Samiti i Varshavës, sukses i madh në mbrojtje të aleatëve

  • RFE /RL

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e ka quajtur samitin e Varshavës si tejet të suksesshëm me substancë të fuqishme. Duke folur për herë të dytë gjatë së shtunës, Stoltenberg ka thënë se samiti i radhës do të mbahet në Bruksel në vitin 2017.

Dita e dytë dhe e fundit e Samitit të Varshavës është dominuar nga diskutimet për Afganistanin dhe Rusinë por, dhe rrezikun nga grupi militant, Shteti Islamik.

"Sot ne kemi marrë vendime për të forcuar partnerët tanë dhe për të projektuar stabilitet përtej kufinjëve të aleancës. Në anën jugore ne kemi shtete të dështuara apo që po dështojnë. Miliona njerëz kanë mbetur pa shtëpi dhe pa shpresë si pasojë e grupit terrorist si ISIL (Shteti Islamik)”.

“Mungesa e stabilitetit ka ndikim të drejtpërdrejtë edhe në shoqëritë tona. Kjo e ka shkaktuar krizën më të rëndë me refugjatë dhe migrantë prej Luftës së Dytë Botërore derisa grupet terroriste kanë kryer sulme nëpër rrugët e qyteteve tona. Niveli i kësaj sfide kërkon që ne të ndërmarrim veprime”, ka thënë shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg në konferencën e ditës së dytë dhe të fundit të Samitit të Varshavës.

Pas takimeve që Stoltenberg ka pasur me presidentin dhe shefin ekzekutiv të Afganistanit, ka thënë se misioni i forcave të huaja në Afganistan vazhdon deri në vitin e ardhshëm.

“Mesazhi ynë është i qartë: Afganistani nuk qëndron vetëm, ndërsa ne jemi të përkushtuar për këtë barrë të gjatë”, ka thënë të shtunën, Stoltenberg.

Forcat e huaja që udhëhiqen nga amerikanët, kanë hyrë në Afganistan pas sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2001 duke larguar talibanët nga pushteti, pasi grupi militant e mbronte liderin e Al Kaidës, Osama bin Laden.

Mirëpo, kryengritësit islamikë nuk janë mundur, madje kontrollojnë më shumë territore në krahasim me periudhën pas vitit 2001.

Gjatë ditës së parë të samitit, të premten, udhëheqësit e NATO-s miratuan vendosjen e forcave të armatosura në lindje të Evropës, si përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj agresivitetit në rritje nga Rusia, sidomos në Ukrainë dhe rrezikut që mund t’i kanoset disa vendeve anëtare të NATO-s në lindje.

“Ne nuk shohim ndonjë kërcënim të afërt kundër ndonjë prej aleatëve të NATO-s”, ka deklaruar sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.

Ai ka shtuar se NATO nuk ka partneritet strategjik me Rusinë, porse as nuk është e përfshirë në një “Luftë të re të Ftohtë”.

Moska e ka kritikuar planin për ushtarë shtesë të NATO-s në kufirin me Rusinë.

Konstantin Kosachyov, udhëheqësi i Komitetit për Politikë të Jashtme në Dhomën e Lartë të Parlamentit rus ka thënë se numri i shtuar i ushtarëve është sikur “ndërtimi i një pende në shkretëtirë”, ndërsa zëdhënësi i Putinit ka thënë të premten se është “absurde të flitet për kërcënim nga Rusia”.

Në komentet e bëra nga presidenti amerikan, Barack Obama, gjatë këtij samiti thuhet: “Ndonëse shtetet tona mbesin të hapura për marrëdhënie më konstruktive me Rusinë, ne duhet të pajtohemi se sanksionet ndaj Rusisë duhet të mbesin derisa Moska të implementojë të gjitha obligimet e saj sipas marrëveshjes së armëpushimit të arritur në Minsk”.

Këshilli NATO – Rusi i themeluar në vitin 1990, pritet të takohet javën e ardhshme për herë të dytë brenda këtij viti. Këshilli ishte pezulluar në vitin 2014, pas aneksimit të Krimesë nga Rusia.

Gorbachev: NATO po përgatitet për 'luftë të nxehtë” me Rusinë

Zhvillimet e samitit të NATO-s i ka komeentuar edhe ish-presidenti i BRSS, Mikhail Gorbachev,i cili e ka akuzuar NATO-n se është duke u përgatitur për luftë të “nxehtë” kundër Rusisë.

Ai ka thënë se retorika e liderëve të aleancës është duke i nxitur të dy palët drejt një konfrontimi ushtarak.

“NATO ka nisur parapërgatitjet për eskalim prej një Lufte të Ftohtë në një të nxehtë”, është cituar Gorbachev nga agjencia ruse e lajmeve, Interfax, më 9 korrik.

Komentet e tij janë bërë në ditën e dytë dhe të fundit të Samitit të NATO-s në Varshavë, ku aleanca ushtarake e ka miratuar vendosjen e katër batalioneve të reja në kufirin e saj lindor me Rusinë.

Gorbachev, i cili ka qenë presidenti i fundit para shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, ka thënë se liderët e NATO-s publikisht kanë folur vetëm për mbrojtje, porse në fakt ata po përgatiten për ofenzivë.

“E tërë retorika në Varshavë, thjesht, tregon se fjala është për deklarimin e luftës ndaj Rusisë”, është cituar të ketë thënë Gorbachev.

Përgatiti: Artan Haraqija

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG