Ndërlidhjet

logo-print

Vriten dy pilotë rusë në Siri pas rrëzimit të helikopterit nga ISIS-i

  • RFE /RL

Ilustrim

Ilustrim

Autoritetet ruse thanë se dy pilotë rusë janë vrarë në afërsi të qytetit Palmira në Siri, kur helikopteri i tyre u godit, duke shtuar numrin e ushtarëve rusë të vrarë në konfliktin e Sirisë në të paktën 12 veta.

Ministria ruse e mbrojtjes në një kumtesë të saj tha se persona të armatosur të grupit ekstremist Shteti Islamik e rrëzuan helikopterin sirian, të cilin pilotët ushtarakë Ryafagat Khabibulin dhe Yevgeny Dolgin e morën për testim më 8 korrik.

Helikopteri u godit me breshëri nga militantët e IS-it pasi pilotët “përdorën gjithë municionin e tyre dhe po ktheheshin prapa”, tha ministria, në një deklaratë të saj, më 9 korrik.

Grupi monitorues SITE, tha se organizata ekstremiste mori përgjegjësinë për rrëzimin e helikopterit.

Agjencitë ruse të lajmeve RIA Novosti dhe Interfax, cituan më herët gjatë ditës zyrtarë të paemëruar të ministrisë duke thënë se helikopteri u rrëzua me 8 korrik pas përleshjes me luftëtarët e IS-it në provincën Homs.

Në deklaratën e Ministrisë së Mbrojtjes thuhet se ekuipazhi i helikopterit “pranoi kërkesën” e forcave siriane për të kryer fushatën ajrore kundër “një grupi të madh të personave të armatosur të ISIS-it” që “kishin filluar një sulm kundër trupave siriane në lindje të Palmiras”, njoftoi agjencia shtetërore ruse TASS.

“Pasi mbetën pa municion, helikopteri që po kthehej u godit nga militantët që shtinë me armë zjarri nga toka dhe u rrëzua në një rajon të kontrolluar nga forcat qeveritare ushtarake të Sirisë. Ekuipazhi vdiq”, citoi TASS ministrinë.

Të paktën 11 ushtarë rusë u vranë në Siri që nga fillimi i operacioneve ajrore të Rusisë në shtator, për të mbështetur forcat e rrethuara të Presidentit sirian Bashar al-Assad.

Ushtria ruse po mban një prani të fortë në bazën ajrore në provincën Lataika, në verilindje të Sirisë, që prej fillimit të operacioneve të saj. (REL)

XS
SM
MD
LG