Ndërlidhjet

Lamtumira për 127 viktimat e gjenocidit në Srebrenicë

  • RFE /RL

Në Qendrën Memoriale Potoçari në Bosnje janë varrosur të hënën 127 viktima të identifikuara të gjenocidit në Srebrenicë. Në mesin e tyre kanë qenë edhe 12 të mitur.

Viktima më e re është Avdija Memiq, që ishte vëtëm 14-vjeçar kur u vra, ndërkaq më i vjetri Mustafa Haxhoviq, i vrarë në moshën 77-vjeçare.

Shumë familje, edhe këtë vit, kanë varrosur vetëm disa eshtra të të vrarëve që janë identifikuar dhe që janë gjetur në varrezat primare dhe sekondare.

“E vërteta dhe drejtësia janë të nevojshme edhe për serbët, edhe për boshnjakët”, tha kryetari i Srebrenicës, Qamil Durakoviq.

Kryesuesi i presidencës së Bosnjës, Bakir Izetbegoviq, tha se kriminelët duhet të përballen me dënime, ndërsa viktimat me drejtësi.

Në Bosnjë sot shënohet përvjetori i masakrës së Srebrenicës. Më 11 korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës hynë në Srebrenicë, në zonën që ishte shpallur e sigurt nga Kombet e Bashkuara. Në ditët që pasuan, ata vranë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë, ndërsa trupat e tyre i hodhën në gropa në pyjet përreth.

Ekzekutimet ishin mirë të planifikuara dhe ushtria serbe ka bërë përpjekje të konsiderueshme për të fshehur të bëmat e saj. Derisa vrasjet kanë ndodhur për pak ditë, procesi i gjetjes së trupave ka marrë vite dhe identifikimi dhe varrimi i tyre vazhdon ende.

Masakra, e cila ka ndodhur pesë muaj para përfundimit të luftës në Bosnje, është cilësuar si mizoria më e keqe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Asnjë institucion i Serbisë, as këtë vit, nuk e ka shënuar zyrtarisht përvjetorin e gjenocidit në Srebrenicë.

Organizata joqeveritare anti-luftë “Gratë në të zeza”, të shtunën mbrëma, ka bërë një performancë në qendër të Beogradit, nën masa të rrepta të sigurisë. Performanca është quajtur “Srebrenica 8372”, shifër që aludon në numrin e viktimave të Srebrenicës.

“Përgjegjësi”, “Solidaritet”, “Kurrë nuk do të harrojmë gjenocidin në Srebrenicë” kanë qenë mesazhet që janë përçuar nga tubimi.

“Këto janë mesazhe për shtetin që sa më parë të miratojë rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë, sepse me një gjë të tillë do të shkëputej nga politika e krimit, që ka ndjekur regjimi i mëparshëm”, ka thënë Stasha Zajoviq, përfaqësuese e organizatës “Gratë në të zeza”.

Në vitin 2004, gjykata e Kombeve të Bashkuara që ka trajtuar krimet në ish-Jugosllavi, i ka emërtuar vrasjet në Srebrenicë si gjenocid.

Ish-udhëheqësi politik i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, është dënuar në muajin mars me 40 vjet burg për krime lufte në Srebrenicë, ndërsa ish-udhëheqësi ushtarak, Ratko Mlladiq, është ende në gjyq në Hagë.

Në vitin 2010, Parlamenti i Serbisë ka miratuar një rezolutë historike, me të cilën ka kërkuar falje për masakrën e Srebrenicës. Rezoluta thotë se Serbia është dashur të bëjë më shumë për të parandaluar tragjedinë.

Në 21-vjetorin e masakrës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës u kanë bërë thirrje liderëve të Bosnjë e Hercegovinës që të punojnë së bashku për përparimin e vendit dhe për “tejkalimin paqësor të të gjitha dallimeve”.

“Kujtimi i asaj çfarë ka ndodhur në Srebrenicë duhet të forcojë vendosmërinë tonë që të tejkalojmë dallimet në mënyrë paqesore, duke respektuar dinjitetin e secilit njeri pa dallim kombi, race, gjinie apo feje", thuhet në kumtesën e Departamentit amerikan të Shtetit.

Sipas së njëjtës, kujtimi “për krimin e tmerrshëm është i rëndësishëm, por më me rëndësi është parandalimi i përsëritjes së një rasti të ngjashëm”.

“Liderët e Bosnjë dhe Hercegovinës duhet të bashkohen për ta zhvilluar vendin, të promovojnë kohezionin, qeverisjen e mirë dhe përparimin ekonomik, si dhe të mundësojnë që fëmijët dhe nipërit e gjeneratave të Srebrenicës të ndërtojnë bashkësi të forta dhe të garantojnë jetë të sigurt”, thuhet në kumtesë.

Departamenti i Shtetit ka bërë me dije se “populli amerikan është përkrah popullit të Bosnjë e Hercegovinës në ditën e shënimit të përvjetorit të gjenocidit në Srebrenicë” dhe se SHBA “vlerëson lart miqësinë me të gjithë popullin e Bosnjës”.

"Në këtë ditë të kujtimit të përbashkët, i gëzohemi vazhdimit të përpjekjeve të përbashkëta për të garantuar të ardhmen që karakterizohet nga përparimi i qëndrueshëm politik, eknomik dhe shoqëror”, thuhet në kumtesë.

Parlamenti Evropian e ka shpallur 11 korrikun Ditë të përkujtimit të gjenocidit në gjithë Bashkimin Evropian dhe u ka bërë thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor të veprojnë ngjashëm.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG