Ndërlidhjet

logo-print

Analizë: Samiti i Varshavës ishte një gjë e madhe

  • Brian Whitmore

Pra, kemi ardhur deri te një NATO tërësisht e re. Megjithë vendimin e britanikëve për tu larguar nga Bashkimi Evropian dhe megjithë ndasitë nëse duhet të përballemi apo punojmë së bashku me Rusinë, aleanca transatlantike ka ndërmarë disa hapa të mëdhenj në një samit me rëndësi gjatë kësaj jave në Varshavë.

“Ne përballemi me një problem serioz me një Kremlin revanshist, dhe samiti e ka bërë një punë të shkëlqyer duke e trajtuar këtë”, vlerëson John Herbst, drejtori i Qendrës Euroaziatike Dinu Patriciu dhe ish ambasador i SHBA-ve në Ukrainë. Këtë qëndrim ai e dha gjatë një paneli diskutimi që u mbajt në kuadër të Forumit të Ekspertëve të Samitit të Varshavës.

Duke e miratuar vendosjen e forcave ndërkombëtare në vendet baltike dhe Poloninë lindore, NATO ka bërë lëvizjen nga ofrimi i garancioneve për aleatët e saj në parandalimin e armiqëve të saj.

Vendosja e ushtarëve tokësor në terren, veçanërisht ushtarët amerikanë, kanadezë, britanikë dhe gjermanë duhet të heq çfarëdo dyshimi nëse aleanca është e përgatitur për të mbrojtur anëtarët e saj më të rrezikuar nga një sulm potencial nga Rusia.

Dhe, derisa ngritja e kapaciteteve në kufirin lindor të saj për tu përballur me kërcënimin e drejtpërdrejtë nga Moska, marrëveshja që NATO e ka nënshkruar në Varshavë me Bashkimin Evropian është një hap i rëndësishëm në trajtimin e aspekteve tjera të luftës së Moskës ndaj perëndimit.

Po aq efektive sa mund të jetë NATO si aleancë ushtarake, ajo nuk është mirë e përgatirur për tu përballur me pasojat e veprimeve të Kremlinit siç janë përdorimi i korrupsionit, krimit ndërkombëtar të organizuar, financat ndërkombëtare dhe shpërndarjen e informacioneve të gabuara për të minuar bazën e shoqërive perëndimore.

Përballja me këto taktika hibride, që përbëjnë një pjesë të rëndësishme të kërcënimit rus ndaj perëndimit dhe që janë të integruara me strategjinë ushtarake të Kremlinit, kërkon përpjekje të koordinuara jo vetëm nga NATO, por edhe pjesët jo ushtarake të qeverive perëndimore gjithashtu.

“BE dhe NATO nuk mund t’ia dalin nëse secili punon vetëm në trajtimin e sfidave të shumta me të cilat përballen”, vlerëson Judy Dempsey hulumtuese në “Carnegie Europe” dhe shton: “Të dy këto organizata kanë ekspertiza që e plotësojnë njëra tjetrën. NATO e ka fuqinë ushtarake, BE e ka fuqinë e butë (ndikimin ekonomik dhe kulturor)”.

Zona e hirtë

Pra, ajo që ndodhi në kryeqytetin polak është një gjë shumë e madhe.

Antoni Macierewicz, ministri polak i mbrojtjes ka shkuar aq larg sa ta quaj samitin “një pikë kthese në historinë e aleancës”.

Mirëpo, në të njëjtën kohë, ky është vetëm fillimi i procesit. Pyetja është, si do të ec tutje NATO pas Varshavës?

Me përforcimet ushtarake në lindje, është e qartë për secilin që i kushton vëmendje kësaj pune se tash është vënë në përdorim Neni 5, dispozita e aleancës për mbrojtje kolektive. Por, a ka mundësi NATO që të ec tutje përtej Nenit 5 dhe të gjejë mënyra se si t’i trajtojë çështjet e sigurisë në zonën fqinjë me të?

Me trupat amerikane që do të vendosen në Poloninë lindore, pika strategjike vitale e Suwalkit është marrë në mbrojtje. Por, a mundet tani NATO që të mbrojë edhe hapësirat e tjera të sigurisë në periferinë e saj?

Pyetja është se çfarë do të ndodhë me zonën e hirtë në mes të NATO-s dhe Rusisë sidomos kur e ki parasysh anëtarësimin e mundshëm në të ardhmen të Ukrainës dhe Gjeorgjisë, apo edhe të Moldavisë në NATO?

“Cili është roli i NATO-s në raport me këto shtete? Si mund të ofrojë stabilitet NATO përtej kufinjve të saj”, pyet Herbst.

Kjo shkon përtej një pyetje të thjeshtë akademike pasi fjala është për zonën e hirtë, territori që nuk futët nën ombrellën e Nenit 5, ku konflikti dhe mungesa e stabilitetit kanë gjasa të mëdha për të ndodhur.

Dhe çfarëdo mungese stabiliteti në kufirin e NATO-s shumë thjeshtë mund të kthehet në kërcënim të sigurisë për vet aleancën.

“Duke mos iu dhënë përspektivë anëtarësie dëmton ambientin e sigurisë. Dhe kjo vlen jo vetëm për Ukrainë dhe Gjeorgjinë, por për një rajon më të gjërë”, ka thënë Ivana Klympush Tsintsadze, zëvendëskryeministrja ukrainase për integrim euro-atlantik, gjatë Forumit të Ekspertëve në Samitin e Varshavës.

Pra, nëse anëtarësimi nuk është opsion për zonën e hirtë, dhe perëndimi ia dorëzon këto vende Rusisë, gjetja e një alternative që funksionon do të jetë një nga sfidat më të mëdha të NATO-s për të ecur para.

Mbrojtja hibride

Gjithashtu, marrëveshja në mes të NATO-s dhe BE-së, të cilën shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg e ka quajtur “marrëveshje historike” është vetëm fillimi i procesit.

NATO dhe BE-ja janë zotuar për të koordinuar veprimet e tyre dhe të bashkëpunojnë në disa çështje që kanë të bëjnë me sigurinë përfshirë mbrojtjen nga sulmet kibernetike, terrorizmin dhe kundërshtimin e “kërcënimeve hibride” dhe fushatat propaganduese nga Rusia.

Dempsey nga “Carnegie Europe” ka nënvizuar se marrëveshja mund të ofrojë një “rritje të krahit atlantik në BE” duke e bërë kështu më të vështirë për Rusinë që ta ndaj Europën dhe ta dobësojë marrëdhënien e saj transatlantike.

Kjo gjithashtu do e lehtësonte koordinimin në mes të trupave të sundimit të ligjit brenda Europës të cilat do të jenë në vijën e frontit duke kundërshtuar taktikat hibride të Moskës.

Ndonëse zyret qëndrore të të dy organizatave janë në të njëjtin qytet, Bruksel dhe anëtarësia e saj është pothuajse e njëjtë, NATO dhe BE-ja kanë pak përvojë në bashkëpunim.

Të dy organizatat vendimarrjen e kanë të detyrueshme vetëm me konsensus e cila është e ngadalshme dhe e ngadalshme.

Rivalitete dhe mospajtime mesiguri janë të pashmangshme dhe këto ishin të dukshme bile edhe para se të nënshkruhej marrëveshja.

Por, nëse marrëveshja ka sukses, ndikimi i saj në rritjen e sigurisë në zonën transatlantike mund të jetë po aq e rëndësishme sa vendosja e mijëra trupave të NATO-s në kufirin lindor.

“Siguria jonë është e ndërlidhur”, ka thënë shefi i NATO-s, Stoltenberg për të shtuar: “Së bashku ne përbëjmë një ekip të frikshëm”.

Përgatiti: Artan Haraç​ia

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG