Ndërlidhjet

logo-print

Qeveria kërkon largimin e të ‘akuzuarve’ për korrupsion


Ilustrim

Ilustrim

Përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës thonë se është kërkuar largimi nga postet publike i të gjithë zyrtarëve që janë përfolur për përfshirje në afera korruptive. Zyrtarët e qeverisë thonë se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar po bëhet më e “ashpër” dhe angazhimi në këtë drejtim është marrë seriozisht.

Deklaratat për thellimin e luftës kundër korrupsionit vijnë pak kohë pasi zyrtarë të lartë ndërkombëtarë tërhoqën vërejtjen se “pa luftimin e korrupsionit, sidomos atij të nivelit të lartë, afrimi më Bashkimin Evropian do të jetë i vështirë”.

Këshilltari politik i kryeministrit të Kosovës, Faton Abdullahu, i tha Radios Evropa e Lirë se pavarësisht zhvillimeve politike që mund të ndodhin, Qeveria vazhdimisht është e angazhuar në luftimin e korrupsionit.

"Tashmë është ngritur si parim çështja e largimit të pushtetarëve, të cilët janë nën akuza të ndryshme, për t'i dhënë hapësirë, me këtë lirim nga detyra e punës të ndonjë pushtetari që është akuzuar [për korrupsion], veprimit të ligjit në mënyrë të pavarur dhe të mund të vendoset drejt ashtu siç do të duhej", tha Abdullahu.

Pak javë më parë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në përgjigje ndaj akuzave të ngritura nga kryeprokurori i shtetit për shpërdorim detyre, “liroi nga detyra” ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani.

Zyra e kryeprokurorit të Kosovës në akuzën ndaj Aganit ka përfshirë edhe dhjetëra persona të tjerë, kryesisht mjekë të Qendrës Klinike Universitare në Prishtinë, me dyshimin se kanë keqpërdorur fondet për dërgim të pacientëve nga Kosova për shërim jashtë vendit.

Këshilltari i kryeministrit, Faton Abdullahu, tha se dukuria e korrupsionit në Kosovë nuk është e re dhe, sipas tij, as Qeveria e Kosovës nuk është imune.

"Mendoj se nuk është vetëm qeveria ajo që duhet të bëjë shumë në këtë aspekt. Duhet të bëjnë të gjitha subjektet, organizatat dhe shoqëria civile, që të jenë edhe korrekte në qasje, e edhe kreative në qasje. Mendoj se Qeveria e Kosovës është në drejtimin e duhur dhe besoj se do të vazhdojë me këtë qasje", tha Abdullahu.

Por, përfaqësues të organizatave joqeveritare në vend thonë se korrupsioni në Kosovë ende nuk ka filluar të luftohet dhe se, deri më tash, nuk ka as sinjale se diçka e tillë do të ndodhë së shpejti.

Arton Demëhasaj, ushtrues i detyrës se drejtorit në organizatën “Çohu", tha për Radion Evropa e Lirë se përpjekjet e institucioneve për luftimin e korrupsionit deri më tash nuk kanë dhënë rezultate.

"Asnjëherë institucionet përgjegjëse për këtë fushë nuk kanë pasur veprime konkrete. Gjithmonë kanë pasur fjalë se do të luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe pastaj gjithçka ka kaluar në heshtje dhe veprime konkrete nuk ka pasur", tha Demëhasaj.

Demëhasaj tha se nuk pret që në një afat të shkurtër kohor të ketë veprime konkrete në luftimin e korrupsionit në nivelin e lartë nga ana e mekanizmave përkatës. Sipas tij, problemi qëndron në brishtësinë e sistemit të drejtësisë dhe te ndikimi i politikës mbi të.

"Korrupsioni dhe krimi i organizuar janë të lidhur edhe me strukturat qendrore qeveritare, e gjithashtu janë të shtrirë edhe në sistemin e sundimit të drejtësisë. Pra, edhe brenda prokurorisë dhe gjykatave ndodhin raste të tilla", tha Demëhasaj.

Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është hapur për diskutim edhe në takimet e ndihmëssekretares amerikane të Shtetit, Victoria Nuland, me zyrtarë e lartë shtetërorë të Kosovës, në kuadër të vizitës së saj në Prishtinë.

Kjo çështje, ndërkaq, thuhet të jetë ndërlidhur edhe me përparimin në procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e vendit.

Me hapjen e dritës së gjelbër, Komisioni Evropian, në maj të këtij viti, kërkoi thellimin e luftës kundër korrupsionit. Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunaçek, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, tha se Kosova duhet të përfundojë me dënimet e rasteve të nivelit të lartë për korrupsion dhe krim të organizuar.

Deri më tani, Kosova nuk ka dhënë dëshmi të forta për luftën e korrupsionit në nivele të larta dhe nuk ka lënë të kuptohet se lufta kundër kësaj dukurie është marrë seriozisht.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG