Ndërlidhjet

logo-print

Këshilli NATO-Rusi: Kur ëndrrat mbesin në gjysmë…


Këshilli NATO-Rusi mban të mërkurën bisedimet e para, prejse aleanca ka rënë dakord në një samit në Varshavë për të rritur praninë në lindje të Evropës, nga frika e agresionit të Rusisë.

Takimi midis ambasadorëve të 28 vendeve anëtare të NATO-s dhe Rusisë është vetëm i dyti qysh në vitin 2014, kur kriza në Ukrainë ka përkeqësuar marrëdhëniet.

“Në frymën e transparencës, do të njoftojmë Rusinë për vendimet e rëndësishme që kemi marrë në Varshavë, javën e kaluar, për të rritur sigurinë tonë”, ka thënë zëdhënësja e NATO-s, Carmen Romero.

Rusia ka kritikuar fuqishëm vendimet e NATO-s, duke e akuzuar atë për agresion.

Kur Këshilli NATO-Rusi është themeluar 14 vjet më parë, ka pasur shumë gjëra në tryezë.

Në kuadër të projekteve të bashkëpunimit, dy palët kanë shkëmbyer informacione dhe trajnime në luftën kundër piraterisë, trafikimit të drogës dhe terrorizmit, si dhe kanë kryer kërkime dhe shpime të përbashkëta në det.

Në atë kohë, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Lord Robertson, ka mirëpritur krijimin e këshillit, duke e cilësuar si “kundërshtim të gjallë të forcave që kanë ndarë dhe dobësuar kontinentin për dy gjenerata”.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si “mjet të mirë” për t’iu përgjigjur shqetësimeve të përbashkëta.

Atëbotë ka pasur po ashtu arsye të mira për të besuar se partneriteti do të rritet. Dy palët kanë pasur bashkëpunime të suksesshme në Bosnje, ku trupat ruse kanë mbështetur nisjen e misionit të NATO-s, IFOR, në vitin 1996.

Të dyja palët po ashtu janë angazhuar me sukses në misionin paqeruajtës në Kosovë më 1999, edhe pse Moska ka kundërshtuar fushatën e bombarimeve të NATO-s mbi caqet serbe.

Presidenti i atëhershëm rus, Boris Yeltsin, i ka cilësuar bombardimet si “agresion të hapur”, derisa udhëheqësit perëndimorë, si presidenti francez, Jacques Chirac, kanë thënë se sulmet syojnë “të mbrojnë paqen në tokën tonë, paqen në Evropë”.

Dhe, çfarë është më e rëndësishmja, të dyja palët është dukur se ndajnë vizion të ngjashëm për Evropën e pas Luftës së Ftohtë. NATO dhe Moska kanë nënshkruar Aktin Themelues mbi Marrëdhëniet e Përbashkëta, Bashkëpunimin dhe Sigurinë më 1997, i cili ka përfshirë premtimin për t’u përmbajtur nga kërcënimet ose përdorimi i forcës “kundër njëri-tjetrit ose kundër ndonjë shteti tjetër”.

Por, nëse Këshilli NATO-Rusi ka pasur një fillim premtues, ai shpejt ka pësuar një goditje të papritur. Pavarësisht marrëveshjes së vitit 1997 për të mos përdorur forcën, Rusia ka hyrë në luftë me Gjeorgjinë në gusht të vitit 2008 dhe ka stacionuar trupa pushtuese në rajonet separatiste të Gjeorgjisë, Oseti e Jugut dhe Abkhazi.

Në atë, NATO ka thënë se nuk do të ketë “biznese të zakonshme” derisa Moska të mos tërheqë trupat nga shteti i Kaukazit dhe Moska ka ndaluar çdo bashkëpunim me aleancën.

Megjithatë, goditja nuk ishte fatale. Në dhjetor të vitit 2009, Këshilli NATO-Rusi është mbledhur përsëri për të ringjallur marrëdhëniet, duke nisur Rishikimin e Përbashkët të Sfidave të Sigurisë të Shekullit 21.

Në atë kohë, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, ka thënë se bashkëpunimi NATO-Rusi “nuk është çështje e zgjedhjes, është çështje e nevojës”.

I dërguari i Moskës në NATO, Dmitry Rogozin, ka thënë se Rusia do që të jetë partner i aleancës.

Marrëdhënia NATO-Rusi ka qenë më pas në rrugë të duhur deri në vitin 2010, kur anëtarët e NATO-s janë pajtuar të krijojnë mburojë raketore në Evropë. Çështja është bërë shkak i grindjeve që vazhdojnë të përshkallëzohen.

Dhe, marrëdhënia NATO-Rusi ka arritur pikën më të ulët në vitin 2014, kur Rusia ka aneksuar gadishullin ukarainas të Krimesë dhe ka nisur të sigurojë mbështetje për separatistët në lindje të Ukrainës.

Aneksimi, që ka qenë edhe grabitja e parë e tokës në Evropë që nga fundi i Luftës së Ftohtë, ka bërë që NATO të pezullojë punën e Këshillit NATO-Rusi për të dytën herë, në shkurt të vitit 2014.

Ai është ringjallur vetëm si kanal komunikimi në prill, por tani shtrohet pyetja se çfarë roli mund të ketë ky këshill në të ardhmen?!

Kritikët thonë se ka shumë pak shanse që Këshilli NATO-Rusi t’i kthehet rolit fillestar si një partneritet.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG