Ndërlidhjet

Stoltenberg: Veprimet ruse në Ukrainë e kanë rrezikuar sigurinë Euro-Atlantike


ilustrim
ilustrim

Për herë të dytë prej kur u prishën raportet për shkak të agresionit rus në Ukrainë dhe vetëm tri ditë pas samitit të NATO-s në Ëarshavë, në selinë e Aleancës në Bruksel është zhvilluar takimi i Këshillit NATO-Rusi në nivel të ambasadorëve.

Mospajtimet rreth agresionit Rus në Ukrainë, vendimet e NATO-s nga samiti i Varshavës, zvogëlimi i tensioneve dhe para shikueshmëria e veprimeve ushtarake si dhe situata në Afganistan ishin temat e këtij takimi.

Duke folur para gazetarëve pas këtij takimi sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg ka thënë se Këshilli NATO-Rusi tash e 20 vite shërben si një forum për dialog dhe se është e rëndësishme që të ketë dialog edhe atëherë kur palët nuk pajtohen.

“Ishte një takim i dobishëm me diskutime të hapura. Ukraina ishte tema e parë në rend të ditës. Kjo është e rëndësishme sepse veprimet e Rusisë në Ukrainë e kanë rrezikuar sigurinë Euro-Atlantike. Aleatët dhe Rusia kanë dallime të thella dhe të vazhdueshme rreth Ukrainës. Ky takim ishte një rast që të sqarojmë pozitat tona” tha ai.

“Aleatët nuk e pranojnë e as nuk do ta pranojnë aneksimin ilegal të Ukrainës. Zgjidhja duhet të kërkohet përmes procesit diplomatik” ka thënë sekretari i përgjithshëm i NATO-s Stolenberg.

Ai ka thënë se NATO-ja në bazë të dëshirës për të qenë transparent, ka njoftuar Rusinë për vendimet që kemi marrë në samitin e Varshavës.

“Kemi pasur një diskutim të hapur dhe me një atmosferë të mirë por ne nuk jemi pajtuar. Kemi ende dallime rreth asaj se si e shohim situatën. Për ne është e qartë se rritja e pranisë sonë në territorin e partnerëve lindorë është rezultat direkt i sjelljes së Rusisë. Por kur kemi mospajtime, kur rriten tensionet, pikërisht atëherë është e rëndësishme që të takohemi dhe të shkëmbejmë informatat dhe të rrisim besimin në mënyrë që të evitohen tensionet” ka thënë shefi i NATO-s.

Sfidat rreth manovrave ushtarake dhe nevojës që të njoftojnë për to në mënyrë që të ketë parashikueshmëri dhe transparencë ka qenë tema rreth së cilës shefi i NATO-s ka folur më së shumti para gazetarëve. Ai ka thënë se Rusia ka dhënë disa propozime se si të adresohet çështja e sigurisë ajrore.

“Ne kemi kërkuar më shumë detaje. i takon tash Rusisë që të përshkruaj detajet e propozimit të tyre por mirëpresim faktin se Rusia po shfaq më shumë interes rreth kësaj. Kyçe është sjellja e sigurt dhe kemi parë disa aktivitete që cenojnë sigurinë nga ana e forcave ajrore të Rusisë në të kaluarën, sidomos mbi Detin Baltik” ka thënë Stoltenberg.

Ai ka thënë se NATO-ja nga ana e saj është transparente dhe në mënyrë konstante duke mundohet që manovrat e saja të jenë të sigurta, të parashikueshme dhe të mos paraqesin rrezik për askënd.

Shefi i NATO-s ka thënë se çështjet e zvogëlimit të rrezikut dhe të sigurisë ajrore duhet të diskutohen edhe në kuadër të OSBE-së.

Korniza e OSBE-së është mjaft e gjerë sepse ka shtetet si Finlanda dhe Suedia që nuk janë anëtare të Këshillit NATO-Rusi. (REL)

XS
SM
MD
LG