Ndërlidhjet

Merkel në vizitë “historike” në Kirgizi


Kancelarja gjermane, Angela Merkel, është takuar në Bishkek me presidentin kirgiz, Almazbek Atambaev, në qëndrimin e saj dy ditor në shtetin që konsiderohet si vendi më demokratik i Azisë Qendrore.

Merkel është pritur nga Atambaev në Aeroportin Ndërkombëtar të Manasit, me një ceremoni të elaboruar pas arritjes mbrëmjen e 13 korrikut.

Në takimet e të enjtes, më 14 korrik në pallatin presidencial, Atambaev ka thënë se për Kirgizinë është me rëndësi “historike” pritja e parë e një kancelareje gjermane.

Merkel ka thënë se Kirigizia ka qenë duke e zhvilluar demokracinë e vet, diçka që nxit fuqizimin e marrëdhënieve në mes të Berlinit dhe Bishkekut.

Merkel gjithashtu e ka mirëpritur vendimin e marrë së fundi për përsëritjen e rastit penal kundër aktivistit etnik uzbek, Azimjon Askarov, i cili është dënuar me burgim të përjetshëm me akuzën se ka nxitur urrejtje etnike dhe përfshirje në vrasjen e një polici gjatë trazirave etnike në vitin 2010.

Merkel thotë se shpreson që Askarov do përballet me proces të drejtë.

Ekspertët e OKB-së dhe ata vendorë si dhe aktivistët ndërkombëtarë për të drejtat e njeriut, e kanë dënuar verdiktin që avokatët e Askarovit thonë se është mbështetur në forma të ndryshime presioni.

Gjykata supreme e vendit më 12 korrik e ka kthyer rastin kundër Askarovit në rigjykim.

Duke folur para gazetarëve përkrah Merkelit, presidenti kirgiz ka thënë se vendi i tij është “i gatshëm që të ftojë vëzhgues ndërkombëtarë, përfshirë edhe ata nga Gjermania” për të monitoruar rigjykimin e Askarovit.

Atambaev ka thënë se Kirgizia i ka pranuar thirrjet e grupeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut për lirimin e Askarovit, duke thënë se procesi kundër tij do të rishikohet në tërësi nga një gjykatë krahinore.

Gjatë takimit është diskutuar edhe çështja e konfliktit të Ukrainës.

"I thash delegacionit gjerman se si vend euroaziatik, Kirgizia po i përjeton pasojat e konfliktit të Ukrainës dhe pasojat e krizës në marrëdhëniet në mes të Evropës dhe Rusisë. Pa dyshim që do të donim që palët të arrijnë kompromis, një marrëveshje dhe të tejkalojnë kështu të gjitha mosmarrëveshjet”, ka thënë Atambaev.

Të dy liderët kanë thënë se ata gjithashtu kanë diskutuar çështjen e ekstremizmit islamik, që raportohet se ka lidhje me sulme terroriste në Gjermani dhe në perëndim në përgjithësi.

Çështja është diskutuar pasi edhe një numër tejet i madh i nënshtetasve të këtij vendi i janë bashkuar grupit militant, Shteti Islamik në luftimet në Siri dhe Irak.

"Ne kemi biseduar edhe për islamin, në veçanti çështjen e islamizimit në kuptimin e Islamit radikal që po propagandohet. Ne jemi pajtuar që duhet bërë përpjekje për të trajnuar imamë vendor sa më shumë që është e mundshme. Ne kemi qendra trajnimi për imamët në Gjermani, gjithashtu dhe ne do e konsolidojmë këtë, njejtë siç do të bëjmë edhe me arsimimin fetar".

"Duhet të ketë transparencë rreth asaj se çfarë po mësojnë fëmijët që po shkojnë nëpër këto shkolla, çfarë mendime po ju jepen atyre. Fatkeqësisht, ka tendenca islamiste në këtë rajon”, ka thënë Merkel.

Kancelarja gjermane ka mbajtur takime me liderë fetarë dhe etnik pas takimeve me presidentin e vendit.

Vizita e Merkel në Kirgizi vlerësohet se ka simbolikë të lartë dhe shpërblim për vendin që ka mbajtur zgjedhje demokratike dhe lejimin e mediave të lira dhe në përgjithësi krijimin e mundësive për shoqëri të hapur në një rajon që njihet për liderë autoritar.

Merkel do e vizitojë edhe Mongolinë, një vend që gjithashtu ka arritje demokratike, mirëpo ka vendosur të evitojë vende si Kazakistani dhe Uzbekistani, shtete këto të pasura me energji dhe që kanë ekonomi shumë më të rëndësishme se sa Kirgizia.

Kirgizia dikur e ka pasur edhe një numër të madh të popullatës gjermane, mirëpo tani vlerësohet se prej tyre kanë mbetur vetëm 9400 persona pasi shumë prej tyre kanë imigruar në Gjermani dhe vende të tjera pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.

"Ne kemi biseduar për dallimet që ekzistojnë në jug dhe në veri, kemi biseduar për përfshirjen e minoritetit uzbek. Ne gjithashtu kemi biseduar për minoritetin gjerman që flet me tone pozitive për pjesëmarrjen e tyre në shoqërinë kirgize”, ka thënë Merkel gjatë konferencës me presidentin e vendit, Atambaev.

Përgatiti: Artan Haraçia

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG