Ndërlidhjet

logo-print

Të kthyerit boshnjak nga Guantanamo, padisin shtetin


Ilustrim

Ilustrim

Dženana Halimović

Pas 14 vjet të kaluara në burgun e Guantanamos në Kubë, Tarik al Savah, është i burgosuri i fundit, i cili është ekstraduar në Bosnjë e Hercegovinë.

Ai është arrestuar në Afganistan dhe është dërguar në Guantanamo. Në Bosnjë e Hercegovinë, ai ka pasur familjen, gruan dhe vajzën, ndërkohë që ka qenë edhe luftëtar i Armatës së Bosnjë e Hercegovinës.

Por, sot, ai po e padit këtë shtet dhe po i kërkon dëmshpërblim për kohën e qëndruar në burg, ndërkaq që vajza e tij Sarah, për shkak se gjatë gjithë këtyre viteve i ishte privuar e drejta për babanë.

Avokati i tyre, Dushko Tomiq thotë se Bosnjë e Hercegovina, e cila ia ka marrë shtetësinë Savahut në vitin 2007, gjatë kohës sa ishte në burg, po refuzon që ta integrojë atë dhe të pranojë se ka bërë gabim.

“Tarik Savah e ka lënë këtu vajzën e tij 5 vjeçe dhe mund ta paramendoni atë fëmijë, i cili ka mbetur pa babanë 15 vjet. Tariku është kthyer dhe tash jeton te vajza, ndërkohë që shteti po shtihet i shurdhër, memec dhe i verbër - nuk dëshiron t’ia kthejë shtetësinë, pasaportën, t'i japë letërnjoftim, që të mund të jetojë, të mjekohet dhe të punojë. Pra, ai këtu tash është rob dhe më ka thënë se e ka më keq se sa në Guantanamo”, ka thënë avokati Tomiq.

Edhe të kthyer të tjerë nga Guantanamo, thonë se u është shkatërruar jeta.

Mustafa Ait Idir, sot jeton ë Bosnjë e Hercegovinë dhe udhëheqë një biznes të vogël dhe merret me sportin e karatesë. Ai, sikurse edhe shumica e atyre që janë dërguar nga ky shtet në Guantanamo, ka qenë pjesëtar i Armatës së Bosnjë e Hercegovinës, është martuar, si dhe ka marrë nënshtetësinë.

Ekstradimin e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, siç u ka thënë ai medieve pas lirimit të tij, e ka përjetuar si tradhëti.

“Për këtë ndjehem keq. Njeriut që ka punuar këtu në Bosnjë, që e ka ndihmuar popullin tuaj, përnjëherë qeveria e juaj ia rrënon jetën. Për asgjë”, tha Mustafa Ait Idira.

Ai është një nga pjesëtarët e të ashtuquajturit “Grupi i Algjerisë”, që i është ekstraduar Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por të cilit nuk i është argumentuar fajësia dhe është kthyer në Bonjë e Hercegovinë në vitin 2008.

Ai, në të njëjtën kohë, me një pjesëtarë tjetër të “Grupit të Algjerisë” , Budel Hadzho, pas kthimit kanë vendosur ta padisin Bosnjë e Hercegovinën.

Ata kanë kërkuar procedurat për ekstradimin e paligjshëm dhe kompensimin e dëmit për kohën e kaluar në Guantanamo, për shkak se janë ekstraduar edhe pse autoritetet gjyqësore të Bosnjë e Hercegovinës patën deklaruar se një procedurë e tillë është jo kushtetues dhe se nuk ka elemente për ndjekjen dhe ekstradimin e tyre.

Kthimi i këtyre personave në Bosnjë e Hercegovinë ka qenë rrjedhojë e logjikshme, për shkak se aty i kanë familjet, thotë Goran Kovaçeviq, profesor në Fakultetin për Kriminalistikë në Sarajevë.

“Autoritetet e atëhershme dëshironin të jenë partner i dukshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në koalicionin kundër terrorizmit. Shërbimet tona kanë ofruar të dhëna që ata njerëz janë interesant për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Tash, kur janë kthyer këtu, nuk jam i sigurt që Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’ua kompensojnë dëmin. Këtë, megjithatë,duhet ta bëjë Bosnjë e Hercegovina. Ata janë kthyer këtu, sepse kanë shtetësinë tonë”, tha Kovaçeviq.

Avokati Tomiq, i cili tash e disa vite merret me të drejtat e të burgosurve nga Guantanamo, vlerëson Bosnjë e Hercegovina përsëri dëshiron t’i dëshmojë Shteteve të Bashkuara të Amerikës se është me to dhe se i mbështet.

“Amerika është fuqi e madhe, por ka edhe përgjegjësi të madhe. Por, mua tash më intereson Bosnjë e Hercegovina - ajo në mënyrë të paligjshme i ka ekstraduar ata njerëz dhe po i trajton jashtëligjshëm si njerëz pa të drejtë lëvizjeje. Klienti im nuk ka të drejtë të lëvizë askund jashtë Sarajevës. Ai përsëri është privuar nga liria pa ndonjë bazë ligjore”, tha avokati Tomiq.

Ekspertët thonë se është fakt që Bosnjë e Hercegovina, por edhe vendet e rajonit, po ballafaqohen me hipotekën e vendeve eksportuese të terroristëve, gjë që edhe më shumë i rrezikon të drejtat e të kthyerve nga Guantanamo, për faktin se ndaj tyre ka mbikëqyrje shtesë.

Në anën tjetër, sipas tyre, me dërgimin e këtyre personave në Ballkan, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në një mënyrë, dëshirojnë t’i testojnë vendet e Ballkanit, nëse ato e meritojnë besimin dhe bashkëpunimin e tyre. (RFE)

Përgatiti: Bekim Bislimi

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG