Ndërlidhjet

logo-print

Turqia hesht ndaj poezisë ofenduese të Boris Johnson për Erdoganin

  • RFE /RL

Abbas Djavadi

Ka qenë e pritshme që të ketë reagim të ashpër nga presidenti turk ndaj zgjedhjes së Boris Johnson, personi që udhëhoqi fushatën për daljen e Britanisë nga BE-ja, në krye të diplomacisë së Mbretërisë së Bashkuar. Apo të paktën të kishte reagim nga ndonjë prej ministrave apo mediave të shumta besnike të Recep Tayyip Erdogan.

Mirëpo mediat turke, bile edhe shtypi opozitar janë çuditërisht të heshtur rreth një pike të veçantë, poezisë pesë vargjëshe me fjalor tejët të rëndë që flet se si Erdogan kryen marrëdhënie seksuale me një dhi.

Në fakt, jo të gjithë se kanë thënë asnjë fjalë. Kryeministri turk Binali Yildirim, është pyetur së fundi për këtë gjatë intervistës së dhënë për emisionin “Hardtalk” të BBC-së:

“Çfarë të them? E ndihmoftë Zoti ta gjejë rrugën e drejtë...”, ka thënë Yildirim.

Asnjë koment nuk është bërë megjithatë as nga ministri i jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu apo zyrtarë të tjerë qeveritarë.

Gazetat apo kanalet televizive turke e kanë raportuar lajmin se kë e ka zgjedhur kryeministrja e re britanike, Theresa May për sekretar të jashtëm, gafet dhe komentet e rënda të tij, të transmetuara si “barsoleta” për disa liderë botëror.

Ata gjithashtu i janë referuar qëndrimeve “kundër Turqisë” të Johnsonit, komente që janë në favor të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), një grup kryengritësish që Turqia, SHBA-të dhe Bashkimi Evropian e konsiderojnë si organizatë terroriste me të cilën qeveria turke është në luftë që 32 vjet.

Në muajin maj, Johnson e kishte fituar një garë të organizuar nga revista britanike, “Spectator” për të shkruar “poezinë më ofenduese” rreth Erdoganit.

Kjo ishte e paraparë si kundërshtim ndaj përpjekjeve të Erdoganit për të paditur një komedian televiziv gjerman i cili e kishte lexuar një poezi për liderin turk që edhe nga kancelarja gjermane, Angela Merkel ishte konsideruar si “qëllimisht ofenduese”.

Para garës për këtë poezi, gjatë kohës kur fushata për mbetje apo dalje të Britanisë nga BE-ja kishte arritur kulmin, mediat turke ishin të ngazëllyera sidomos me origjinën osmane të Johnsonit.

Boris Johnson është stërnipi i Ali Kemalit, një gazetar i cili për një kohë të shkurtër ishte edhe ministër i brendshëm në Perandorinë Osmane.

Përpos kësaj, ekziston një heshtje befasuese rreth garës së revistës britanike dhe poezisë ofenduese të Johnsonit, e cila është publikuar nga pothuaj i gjithë shtypi britanik.

Derisa poezia është lexuar mjaftë edhe në Turqi, është befasuese se askush nuk u mor me të apo nuk deshi ta përmend tregimin e poezisë.

Heshtja në vazhdim edhe tani pasi Johnson është emëruar Sekretar i Jashtëm i Britanisë është edhe më befasuese.

A nuk arritën turqit që ta vërejnë këtë lajm? A ekziston ndonjë ndalesë, bile edhe jo zyrtare në raportimin e kësaj poezie ofenduese për Erdoganin të shkruar nga tash ministri i jashtëm britanik?

Apo mos është kjo auto-cenzurë pjesë e klimës aktuale të frikës që ekziston në mediat turke?

“Ndoshta kjo lidhet me frikën se mund të përballesh me gjykatën nëse e ofendon apo sulmon dinjitetin e presidentit turk”, ka thënë një gazetar i njohur i këtij vendi që ka folur në kushte anonimiteti.

“Nuk jam në dijeni për ndonjë ndalesë. Është me të vërtetë e çuditshme që askush nuk flet për këtë. E pranoj që edhe unë nuk flas (publikisht) për këtë, gjithashtu. Është thjeshtë e turpshme dhe jo etike, më shumë për Johnson se sa për Erdoganin”, ka thënë në fund ky gazetar.

Përgatiti: Artan Haraçia

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG