Ndërlidhjet

Gërmime tjera për varreza të dyshuara masive


Pamje nga gërmimet
Pamje nga gërmimet

Gjatë javës së ardhshme pritet që të vazhdojnë gërmimet në lokacionin e tretë (konkretisht pas Rektoratit të Prishtinës) në kërkim të gjetjes së varrezave masive që dyshohet të jenë brenda kampusit Universitar të Prishtinës, thonë përfaqësuesit e familjarëve të personave të pagjetur, si dhe institucionet që merren me këtë çështje.

Këto gërmime vazhdojnë pas gërmimeve treditore në këtë hapësirë, e të cilat nuk kanë rezultuar me gjetjen e mbetjeve mortore.

Kryetari i Komisionit shtetëror për persona të pagjetur, Prenk Gjetaj, ka thënë për Radion Evropa e Lirë,se përveç dyshimeve për varreza masive në hapësirat e universitetit, gërmime pritet të fillojnë edhe në pjesën veriore të Mitrovicës.

“Ka edhe lokacione tjera që presin urdhëresë për t’u zbatuar, si një fshatin Jabuka të komunës sëZubin Potokut. Ndërsa, për lokacione tjera që sigurisht se janë në mbledhje të informatave të besueshme që dërgojnë drejt kërkesës për sigurimin e urdhëresës nga Prokuroria për t’u gërmuar”, ka thënë Gjetaj.

I pakënaqur me angazhimin e institucioneve kompetente për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur, të cilët janë zhdukur gjatë luftës në Kosovë, është shprehur Bajram Çerkini , drejtues i Këshillit Koordinues të Asociacionit të familjarëve të personave të pagjetur në Kosovë.

Ai ka thënë se gërmimet në lokacionet e dyshuara për varreza masive janë të vonuara. Kjo më së miri, siç thotë ai, vërehet me gërmimet në qendër të kryeqytetit të Kosovës, 17 vjet pas përfundimit të luftës së fundit në vend.

Çerkini shpreh bindjen se pa një vullnet të fuqishëm politik, çështja e të pagjeturve nuk do të zgjidhet.

“A ka dikush që mund t’i mirëkuptojë familjet e personave të pagjetur? Po bëhet lojë, biznes me hulumtimet e të pagjeturve, me morg, me varreza masive, që dihen në Kosovë, por edhe jashtë Kosovës, në Serbi“, ka thënë Çerkini.

Sipas statistikave zyrtare, në Kosovë ende vazhdojnë të figurojnë 1 mijë e 665 persona të pagjetur, të zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Në këtë numër, janë të përfshirë personat e të gjitha përkatësive etnike, por përqindja më e madhe është e personave me përkatësi etnike shqiptare.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në mars të këtij viti pati deklaruar që “ zbardhja e fatit të personave të pagjetur” do të jetë një nga pesë prioritetet e Qeverisë së Kosovës për vitin 2016.

Por, përfaqësuesit e familjarëve të këtyre personave, theksojnë se autoritetet e larta të Kosovës duhet të kërkojnë nga Bashkimi Evropian që çështja e zbardhjes së fatit të personave të pagjetur të shtrohet si temë në Bruksel.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG