Ndërlidhjet

Nis me kundërshtime ndaj Trump konventa e republikanëve


Donald Trump me bashkëshorten në konventën e Partisë Republikane
Donald Trump me bashkëshorten në konventën e Partisë Republikane

Konventa e Partisë Republikane ka filluar me jo pak zhurmë, më 18 korrik, pasi kritikët e kandidatit të mundshëm të partisë për president të SHBA-ve, Donald Trump, nuk kanë arritur që të sigurojnë një votë simbolike që do të demonstronte kundërshtimin e tyre ndaj kandidaturës së Trump.

Trump ka arritur të shmang votimin ndërkohë është paraqitur qysh në natën e parë të kësaj konvente duke e prezantuar bashkëshorten e tij pwrpara pjesëmarrësve, Melania Trump, e cila ka mbajtur fjalim me qëllim që të zbusë sado pak imazhin jo të mirë para imigrantëve dhe myslimanëve.

Melania Trump ka thënë se bashkëshorti i saj do të jetë një president gjithpërfshirës.

Konventa katër ditëshe në Cleveland të Ohios, pritet të nominojë zyrtarisht Trump si kandidat të partisë për zgjedhjet presidenciale të 8 nëntorit, ndërsa konventa shihet si mundësi për fushatën e tij që të tregojë unitet brenda partisë.

Mirëpo kundërshtimet brenda partisë e kanë tërhequr vëmendjen qysh në ditën e parë të kësaj konvente pasi delegatët kundërshtar të Trumpit kanë provuar që të ndryshojnë rregullat e nominimit për t’iu lejuar atyre mundësinë që të përkrahin një tjetër kandidat.

Pas një votimi fillestar, liderët e partisë kanë thënë se kundërshtarët nuk kanë mjaftueshëm vota, duke nxitur kështu reagime të zëshme në stadiumin e basketbollit ku po mbahet konventa.

Delegatët e zemëruar kanë filluar të thërrasin me zë në anglisht “roll call, roll call”, që do të thotë se ata dëshironin thirrjen me emër të personave që ishin të pranishëm. Delegatë të tjerë, përfshirë edhe delegacionin nga Colorado, thjeshtë janë larguar nga konventa.

“Ne e meritojmë të dëgjohemi, kjo është konventë e popullit!”, ka thënë Diana Shores, delegate nga Virginia e cila ka qarë derisa delegatët që e përkrahin Trump kanë provuar që të shuajnë zërat e protestës duke thirrur me zë “turp, turp!”.

Biznismeni miliarder, Trump asnjëherë nuk ka pasur pozitë udhëheqëse në administratën publike. Me retorikën jo pak të vrazhdë dhe akuzat se sistemi politik në SHBA është i “manipuluar”, Trump e ka pasur të vështirë të sigurojë përkrahjen e shumë figurave kyqe të republikanëve.

Disa pjesëtarë të Partisë Republikane e kanë nisur edhe një lëvizje të quajtur: “Asnjëherë Trump”. Kandidati megjithatë gjatë javës së kaluar e ka quajtur të vdekur këtë lëvizje.

Rreth 2 mijë delegatë kanë shkuar në Cleveland për të marrë pjesë në konventë, ku Trump pritet ta mbyllë konventën mbrëmjen e 21 korrikut me një fjalim përmes së cilit ai do e pranonte nominimin e partisë për zgjedhjet presidenciale.

Konventa gjithashtu është hapur nën masa të rrepta sigurie me shqetësimin e rritur të shkaktuar nga vrasja e oficerëve policor dhe afrikano amerikanëve.

Vrasjet e 17 korrikut në Baton Rouge, një sulm që kishte cak policët dhe që dyshohet se është kryer si hakmarrje ndaj vrasjës së afrikano amerikanëve nga policia, ka qëndruar si re mbi këtë konventë.

Tema e ditës së parë ka qenë “Ta bëjmë Amerikën sërish të sigurt”, që i përshtatet edhe sloganit të fushatës së Trump. “Ta bëjmë Amerikën sërish të mrekullueshme”.

Bashkëshortja e Donald Trump ka thënë se kandidati i mundshëm republikan për president do të jetë një lider gjithpërfshirës nëse zgjidhet, duke iu shërbyer të gjithë amerikanëve pavarësisht racës, fesë apo të ardhura.

Duke folur gjatë konventës kombëtare të Partisë Republikane në Cleveland më 18 korrik, portretizimi që Melania Trump i ka bërë bashkëshortit të saj ka pasur për qëllim që të zbusë të gjitha kritikat e ashpra me të cilat është përballur ai pas deklarimeve për myslimanët dhe imigrantët.

“Donald e ka për qëllim që të përfaqësojë të gjithë njerëzit, jo vetëm disa prej tyre”, i ka thënë ajo konventës pasi është prezantuar nga bashkëshorti i saj, i cili është paraqitur në skenë i përcjellur nga tingujt e këngës së grupit britanik, “Queen” – “We Are The Champions”.

Ish modelja dhe imigrantja sllovene, Melania Trump e ka pranuar “entuziazmin dhe dramën” e fushatës së Trump, por ka thënë se “mbi të gjitha burri im do të mbetet i përqendruar në një gjë: këtë vend të bukur që ai e don shumë”.

Në mesin e atyre që pritet të flasin gjatë konventës është edhe udhëheqësi i shumicës në Senat, Mitch McConnell dhe udhëheqësi i Kongresit, Paul Ryan, si dhe ish rivalët që janë tërhequr nga gara për nominimin partiak, Ted Cruz, Chris Christie, Scott Walker dhe Marco Rubio.

Vetëm pak metra nga arena ku mbahej konventa në Cleveland, kundërshtarët dhe përkrahësit e Donald Trump janë përballur në dy protesta të ndara që megjithë retorikën e ashpër ndërmjet tyre nuk ka pasur dhunë fizike.

Policia në këtë qytet ka raportuar pak probleme dhe vetëm një të arrestuar në mbrëmjen e parë të koventes kombëtare të Partisë Republikane.

Shefi i policisë në këtë qytet, Calvin Ëilliams iu ka thënë gazetarëve më 18 korrik se forcat e sundimit të ligjit janë përballur me pak probleme ditën e parë të konventës.

Trump ka nxitur reagime të ashpra pas thirrjeve të tij që në kufirin në mes të SHBA-ve dhe Meksikës duhet ndërtuar një mur, por edhe me thirrjen për ndalimet për imigrantët myslimanë, hapa që ai i ka përshkruar të nevojshme për mbrojtjen e sigurisë së amerikanëve.

Menaxheri i fushatës së Trump, Paul Manafort ka thënë se “plani për fushatën e Trump për këtë konventë është t’iu ndihmojë amerikanëve të kuptojnë më shumë rreth personit Donald Trump, jo vetëm kandidatit që ata e kanë parë gjatë fushatës brenda partiake deri më tash”.

Konventa kombëtare e Partisë Demokratike do të mbahet javën e ardhshme në Philadelphia, ku partia pritet të nominojë ish Sekretaren amerikane të Shtetit, Hillary Clinton si kandidate të tyre për president.

Duke folur në konventën vjetore të Asocacionit Kombëtar për Avansimin e Njerëzve me Ngjurë (NACCP) në një tjetër qytet të Ohios, Cincinnati, më 18 korrik, Clinton e ka quajtur kandidaturën e Trump si “kërcënim për demokracinë” duke e akuzuar atë për nxitjen e tensioneve etnike dhe racore me retorikën e përdorur.

“Donald Trump nuk mund të bëhet president i Shteteve të Bashkuara”, ka thënë Clinton duke e nxitur edhe përkrahjen e madhe nga publiku pjesëmarrës.(REL)

XS
SM
MD
LG