Ndërlidhjet

logo-print

Ambasadori amerikan Lu flet në tubimin pro reformës në drejtësi


Zëri i Amerikës

Ambasadori i SHBA-ve në Shqipëri, Donald Lu, mori pjesë të martën në një tubim proteste të thirrur nga organizatat e shoqërisë civile para parlamentit për të kërkuar miratimin e reformës në drejtësi.

Zoti Lu mori fjalën në këtë tubim, duke bërë thirrje që kjo reformë të miratohet.

“Dje pas takimit të shkurtër mes zotit Rama, Basha dhe Meta, ekspertët tanë u takuan për 8 orë, deri në 2 të mëngjesit, dhe nuk arritën marrëveshje. Pas 18 muajsh negociata, përse nuk arrijnë kurrë një marrëveshje? Disa nga këta politikanë nuk duan marrëveshje” - tha Lu.

Ai shtoi se dy javë më parë Basha dhe Bylykbashi thanë me zë të fortë që nëse e zgjidhnim paragrafin 88, ata do ta votonin reformën që të nesërmen.

“Më 9 korrik e zgjidhëm paragrafin 88. Në fund Rama u dorëzua. Një proces përzgjedhjeje të quajtur 6+6. Por, kjo nuk mjaftonte. Tani për herë të parë ata thonë se për shkak të sovranitetit kombëtar nuk mund të pranojnë që të huajt të bëjnë vlerësimet për kualifikimet e komisionerëve. Epo kjo është e çuditshme” - tha ai.

Ai shtoi se më 19 maj, Basha i tha ambasadorit Lu dhe ambasadorit Vlahutin se “të huajt mund të ishin të vetmit persona, që mund ta pastronin peshkun nga koka”. Zoti Basha u tha të njëjtën gjë edhe deputetëve të parlamentit europian.

Bylykbashi, sipas tij, e përfshiu këtë në mënyrë të qartë në propozimin e tij zyrtar të shkruar që dërgoi, por tani papritur po ndryshojnë qëndrimin e tyre.

“Njerëz të fuqishëm kanë frikë. Qytetarët po kërkojnë ndryshim. Është koha për të vendosur. Do të ketë pasoja specifike negative nga Shtetet e Bashkuara për ata udhëheqës politik që do të votojnë kundër kësaj reforme. Unë u kam dorëzuar partive politike hollësitë mbi këto pasoja, sipas udhëzimeve specifike nga Uashingtoni. U siguroj se këto pasoja do të jenë të rënda dhe afatgjata” - theksoi Lu.

Ai tha se gjatë ditëve të fundit u takua me dhjetëra deputetë nga të gjitha partitë politike. Zoti Lu kishte bindjen se këta persona i kanë për zemër interesat më të mira të Shqipërisë dhe se të gjithë e duan këtë reformë.

“Pyeta nëse do të kenë kurajon të votojnë për atë që e dinë se është gjëja e duhur për Shqipërinë apo do të votojnë për shkak të frikës nga udhëheqësit e tyre. Shqipëria u themelua nga burra të guximshëm. Ata rrezikuan jetët e tyre për pavarësinë e këtij vendi. Është përsëri koha t'u kërkohet shqiptarëve kurajo dhe besim për të bërë atë që është e drejtë. Koha për të vendosur është tani. Miratojeni këtë reformë” - tha ambasadori Lu ne tubimin e shoqërisë civile.

*Ky material fillimisht u publikua në VOA

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG