Ndërlidhjet

logo-print

OKB: Turqia të mos e kthejë dënimin me vdekje 


Ilustrim

Ilustrim

Komisioneri për të drejtat e njeriut në Kombet e Bashkuara iu ka bërë thirrje autoriteteve turke që t’i përmbahen sundimit të ligjit në masat e ndërmarra ndaj autorëve të dyshuar të grusht shtetit të dështuar të 15 korrikut.

Ai gjithashtu është shprehur i shqetësuar për mundësinë që në këtë vend të rikthehet dënimi me vdekje.

Në një komunikatë të dërguar mediave më 19 korrik, Komisioneri i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Zeid Ra'ad Al Hussein, gjithashtu ka thënë se vëzhguesit e pavarur duhet ta vizitojnë vendin ku mbahen të paraburgosur të dyshuarit për të verifikuar kushtet në të cilat mbahen ata si dhe për tu siguruar nëse ata po kanë qasje në avokat dhe kontakte me familjet e tyre.

Të drejtat e njeriut nuk duhet “shtypur në emër të sigurisë dhe me dëshirën që të nxitohet ndëshkimi ndaj atyre që mendohen se janë përgjegjës (për grusht shtetin)”, ka thënë Zeid.

Ai ka nënvizuar se “rikthimi i dënimit me vdekje do të ishte shkelje që Turqia do iu bënte obligimeve të saj nën ligjin ndërkombëtar për të drejtat e njeriut – një hap ky në drejtim të gabuar”.

Komunikata është bërë në kohën kur kryeministri Binali Yildirim është zotuar se Ankaraja do respektojë sundimin e ligjit ndërsa ka folur edhe kundër “ndjenjes së hakmarrjes” në vend pas dështimit të grusht shtetit.

Autoritetet turke kanë arrestuar më shumë se 7500 persona dhe kanë larguar nga puna mijëra të tjerë, përfshirë edhe zyrtarë gjykate, figura ushtarake dhe guvernatorë nga postet e tyre pas dështimit të grusht shtetit.

Mbi 200 persona janë vrarë gjatë përpjekjes për grusht shtet.

XS
SM
MD
LG