Ndërlidhjet

Edhe një aktakuzë për pjesëmarrje në grupe terroriste


Ilustrim
Ilustrim

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur sot aktakuzë kundër të pandehurit A.D., për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale organizimi dhe pjesëmarrja në grupe terroriste.

Sipas komunikatës së lëshuar për media, i akuzuari A.D., gjatë periudhës kohore 18 nëntor 2012 deri më 18 maj 2013 kishte marrë pjesë në veprimtarinë e grupit terrorist “Jabhat Al - Nusra”, në Siri.

Ai së bashku me katër persona tjerë, të njohur për organet e rendit, nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës kishin ateruar në Aeroportin “Ataturk” në Stamboll të Turqisë, dhe më pas nga aty me aeroplan kanë udhëtuar deri në qytetin, Hatay në Turqi.

Tutje thuhet se i pandehuri A.D. së bashku me këta katër persona me një veturë taxi kanë udhëtuar deri në qytetin Reyhanli pranë kufirit turko-sirian, ku kanë qëndruar disa ditë, dhe më pas me ndihmën e një personi nga Siria, përmes rrugëve ilegale, kanë depërtuar në territorin e Sirisë, në qytetin Tall Rifat.

Pas mbërritjes në destinacion, A.D., sipas Prokurorisë së Speciale, është ndarë nga shokët e tij dhe është takuar me vëllanë e tij, P.D. i cili gjendej në Siri, dhe më pas janë vendosur në një kamp ushtarak, diku afër qytetit Aleppo të Sirisë, të udhëhequr nga grupi terrorist “Al Nusra”.

I pandehuri A.D., pasi kishte kryer ushtrimet fizike dhe gjuajtjet me armë të zjarrit, kishte marr pjesë drejtpërdrejtë në konflikt të armatosur në qytetin Aleppo dhe Qalamoun, ndërsa me datën 18 maj 2013 ishte kthyer në Kosovë nga Aeroporti i Stambollit në Aeroportin e Prishtinës. Me këto veprime, vijon komunikata e Prokurorisë, i pandehuri ka kryer vepër penale, organizimi dhe pjesëmarrja në grupe terroriste.

XS
SM
MD
LG