Ndërlidhjet

MPJ e konfirmon: Tre të rinj nga Kosova janë vrarë në Mynih


Nga vendi i ngjarjes ku ndodhi sulmi në Mynhen
Nga vendi i ngjarjes ku ndodhi sulmi në Mynhen

Policia gjermane ia ka konfirmuar konsullatës së Kosovës në Gjermani se tre të rinjë nga Kosova janë vrarë mbrëmë gjatë sulmit në një qendër tregtare të Mynihut.

Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Jashtme e Kosovës përmes një komunikate dërguar mediave ku thuhet se MPJ është e “tronditur nga sulmi terrorist”.

“MPJ shpreh ngushëllimet më të thella familjarëve dhe qëndron pranë tyre në këto momente të vështira për ta dhe gjithë komunitetin shqiptarë kudo në botë”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e Ministrisë.

Policia gjermane ka informuar se pasditen e 22 korrikut një 18-vjeçar, nënshtetas gjerman me origjinë nga Irani, ka vrarë nëntë persona në një qendër tregtare në qytetin jugor gjerman.

Ai më pas dyshohet se e ka vrarë veten me pistoletë, ndërsa trupi i tij është gjetur 1 kilometër larg vendit ku e ka kryer sulmin.

Komunikata e MPJ-së së Kosovës nuk konfirmon identitetin e të rinjve nga Kosova të vrarë në Mynih, por siç ka raportuar Radio Evropa e Lirë, janë familjet e viktimave që e kanë konfirmuar lajmin tragjik.

Naim Zabërgja, me origjinë nga Kosova ka njoftuar të gjithë familjarët dhe miqtë e tij përmes Facebook se, “djali im Dijamant Zabërgja, 21 vjeçar u vra dje në Mynih nga dora terroriste”.

Edhe familjet e dy vajzave shqiptare raportohet se e kanë konfirmuar përmes rrjeteve sociale vrasjen e tyre.

“Armela - Vajza, motra dhe shoqja jonë e dashur ndërroj jetë. Faleminderit per shpresat dhe ndihmen dhe mbeshtetjen”, ka shkruar në rrjetin social Facebook, Arbnor Segashi.

Në komunikatën e Ministrisë së Jashtme të Kosovës thuhet se MPJ dhe Ambasada e Kosovës “është në dispozicion të familjeve dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës të prekur mbrëmë nga kjo ngjarje shokuese dhe e dhimbshme”.

Policia gjermane po heton motivet e sulmit që do të sqaronin arsyet se pse i riu 18-vjeçar, gjermano-iranian, ka hapur zjarr në Qendrën tregtare në Mynih, në mbrëmjen e 22 korikut, ku përpos nëntë viktmave janë plagosur edhe 16 të tjerë.(a.haraqija)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG