Ndërlidhjet

Gjermani: Sulmi në Ansbah – i motivuar nga ekstremizmi islamik


Policia kryen hetime në vendin ku ka ndodhur eksplodimi në Ansbah të Gjermanisë

Ministri i brendshëm i Bavarisë, Joachim Hermann, thotë se beson se azilkërkuesi sirian, i cili e ka vrarë veten nëpërmjet aktivizimit të eksplozivit, duke i plagosur 12 vetë afër hyrjes në një festival muzikor në qytetin jugor gjerman, Ansbah, ishte shtyrë nga ekstremizmi islamik.

Mëtutje, ministri Hermann i tha sot agjencisë gjermane, DPA, se “për fat të keq mendoj se ka shumë gjasë se ky realisht ishte sulm vetëvrasës islamik” dhe ka shtuar se “qëllim i qartë për të vrarë më tepër njerëz indikon lidhje islamiste”.

Policia tha se siriani 27 vjeçar, mbrëmë vonë e kishte aktivizuar eksplozivin, që e kishte me vete, afër një festivali muzikor të hapur.

Ministri Hermann ka theksuar se ky person e kishte një çantë shpine të mbushur me eksploziv dhe pjesë metalike që mund të vrajnë shumë njerëz.

Ky person, emri i të cilit nuk është publikuar, disa herë kishte pasur trajtim psikiatrik, përfshirë përpjekje për vetëvrasje, ka thënë zoti Hermann.

Sot më herët, Zyra e prokurorisë në Ansbah tha se motivi i sulmit nuk ishte i qartë.

“Nëse ekziston lidhja islame apo jo, në këtë pikë është spekulim i pastër”, tha zëdhënësi i Zyrës së prokurorisë, Michael Schrotberger.

Autoritetet thanë se së paku 12 vetë janë palgosur, tre prej tyre seriozisht, nga ky eksplodim.

Policia i ka evakuuar më se 2 mijë njerëz nga festivali muzikor dhe e ka bllokuar hapësirën.

XS
SM
MD
LG