Ndërlidhjet

logo-print

Shumica e shqiptarëve të Komunës së Zveçanit, jetojnë në fshatrat Lipë, Boletin dhe Zhazhë.

Pavarësisht infrastrukturës së rregulluar, rrugës së re, shkollës dhe ambulantes së ndërtuar, banorët e fshatit Lipë, vazhdojnë të përballen me vështirësitë e jetesës.

Në këtë fshat jetojnë rreth 400 banorë, shqiptarë, ndërkohë që gjatë muajve të verës, ky numër raritetet me kthimin e anëtarëve të familjeve që jetojnë jashtë shtetit, të cilët shuam kohë më parë kanë shkuar në kurbet, në kërkim të një jete më të mirë.

Agron Kelmendi, përfaqësues i fshatit Lipë, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpjegon se si banorët e këtij fshati përpiqen ta sigurojnë mbijetesën.

“Zakonisht këtu jetojnë përmes blegtorisë, për arsye se terreni është shumë i përshtatshëm për këtë, mirëpo nuk po kanë mundësi të krijojnë më shuam. Një numër shumë i vogël është i punësuar, mirëpo, në përgjithësi, shumica e familjeve janë me ndihmë sociale”.

Në fshatin Lipë, shumë familje jetojnë në kushte të rënda jetese, por ndër më të rrezikuarat është familja me pesë anëtarë, Kelmendi, e cila jeton në një shtëpi të vjetër, me mure të ndërtuar para shumë dekadave dhe të gërryera nga koha, si dhe pa kushte elementare për jetesë. Në këtë shtëpi, me prindërit jetojnë tre fëmijë të mitur, njëri prej të cilëve është ende foshnje.

Zonja e shtëpisë, Fatime Kelmendi, i quan katastrofale kushtet në të cilat jeton ajo me familjen e saj. Brenda shtëpisë së saj, ngjitur me kuzhinën ku përgatitet ushqimi, është një banjo e improvizuar, ku në një kazan metali, zonja e shtëpisë i lan rrobat e familjarëve.

Instalimet elektrike janë krejtësisht të vjetra dhe me rrezikun e përhershëm të prishjes. Ajo thotë se jeton me drojën nga rreziku i përditshëm për sigurinë e fëmijëve të saj dhe familjes në përgjithësi.

“Sa për shtëpi, gjendjen e kemi katastrofë. Frikohem kur flej, sepse mendoj se deri sa të zgjohem, mund të rrëzohet dhe mi mbytë fëmijët. Sa për vete nuk e kam dert. Për fëmijët po frikohem shumë. Kushtet që ta mbarojmë një shtëpi, nuk ka. S’ kemi shans kurrë, përveç nëse na ndihmon dikush. Çfarë të bëjmë, s’kemi kushte, s’kemi banjë, s’kemi asgjë. Në tjetrën anë, gjarpërinjtë e minjtë vijnë e hynë brenda në shtëpi. Nuk po di as vet se ku të jetoj e ku të shkoj”, tha Fatimja

Ajo shtoi se deri më tash, familjen e saj e kanë vizituar në dy tri raste, persona të ndryshëm, por nuk ka pasur ndihmë nga askush. Ndihmë kishte kërkuar edhe në komunën e Mitrovicës së jugut, por, siç thotë ajo, zyrtarët e kësaj komune i kishin thënë që për ndihmë t’i drejtohet komunës së Zveçanit.

“Nuk ka asnjë ndihmë. Na thanë se do të vijnë të na vizitojnë dhe se se do ta dërgojnë një komision. As nuk kanë dërguar komision, as nuk ka qenë kush që të na shohë”, tha Fatimja.

Ajo thotë se ekzistencën me shumë mund e sigurojnë me pagën që burri i saj e merr si shtëpiak në një shkollë në Mitrovicën e jugut. Kjo pagë, sipas saj, nuk mjafton as për të siguruar ushqimin për tërë muajin.

“Nuk di çfarë të them. Dhashtë Zoti të vij dikush të na ndihmoj për këtë shtëpi. Nuk dua asgjë më tepër”.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i fshatit, Agron Kelmendi, thotë se fshati nuk ka mundësi ta ndihmojë familjen e Fatimes.

“Sa i përket aspektit lokal, e kemi Zyrën për komunitete këtu, mirëpo mundësi për t’i dalë në ndihmë, nuk kanë. Sa na përket neve, nuk mund ta ndihmojmë. Sa na përket neve, jo. Krejt varet nga komuna, nga qeveria apo ndonjë donator tjetër”.

Siç ka thënë Kelmendi, fshati Lipë ka standard të ulët, me papunësi të madhe dhe shtëpi të vjetra. Sipas tij, në dy vjetët e fundit, disa familje e kanë braktisur fshatin dhe kanë migruar jashtë vendit, ndonëse, disa prej tyre janë kthyer prapë.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG