Ndërlidhjet

HRW: Sërish bomba thërrmuese në Sirinë veriore


Bombat thërrmuese ruse të përdorura në Siri
Bombat thërrmuese ruse të përdorura në Siri

Forcat ruse dhe siriane kanë rifilluar të përdorin bombat thërrmuese kundër civilëve dhe rebelëve në Sirinë veriore, ka thënë sot Human Rights Watch.

Grupi i vëzhguesve ndërkombëtar, përmes një raporti, ka thënë se ka dokumentuar 47 raste në të cilat është përdorur municioni thërrmues, i cili para se të bie në tokë shpërndahet për të dëmtuar sa më shumë njerëz dhe pajisje ushtarake.

Bombat thërrmuese çdo herë e më shumë janë të ndaluara për tu përdorur, ndërsa HRW ka thënë se ato janë shfrytëzuar në masë të madhe në sulmet që forcat pro qeveritare në pjesën verior të vendit gjatë dy muajve të fundit.

Këto sulme kanë vrarë dhe plagosur dhjetëra civilë, thotë më tej raporti.

“Prejse Rusia dhe Siria kanë rifilluar operacionet e tyre ajrore, ne kemi parë përdorim të pafund të municionit thërrmues”, ka thënë Ole Solvang, zëvendës drejtori për emergjenca i HRw.

Bombat thërrmuese që shpërthejnë në ajër, lëshojnë qindra bomba të tjera më të vogla me qëllim që kur të bien në tokë të përfshijnë hapësirë sa më të madhe.

Rreth 100 vende tashmë e kanë nënshkruar një traktat të OKB-së më 2008 që e ndalon përdorimin e municionit thërrmues.

Raporti thotë megjithëse Rusia dhe Siria nuk janë nënshkruese të këtij traktati, “ato prapë se prapë duhet t’i përmbahen ligjit humanitar ndërkombëtar, apo ligjeve të luftës që parandalojnë sulme të tilla”.

Në të kaluarën, Rusia e ka mohuar se ka përdorur municion thërrmues në Siri.

XS
SM
MD
LG