Ndërlidhjet

Akuza ndaj iranianit në Kosovë zbulon aktivitetet e Teheranit në Ballkan


Ilustrim
Ilustrim

Tashmë është i ditur promovimi që i bën Irani islamit shiit në tërë Lindjen e Mesme, por aktivitete të tilla në Evropë kryesisht kanë kaluar pa u vërejtur.

Mirëpo, përpjekjet e tij në Ballkan kanë rënë në sy në vitet e fundit, duke çuar deri te ngritja e akuzës gjatë kësaj jave ndaj një kleriku iranian në Kosovë. Ai akuzohet për financimin e terrorizmit dhe pastrim të parave përmes një organizate jo qeveritare që udhëhiqte.

Autoritetet e Kosovës thonë se Hasan Azari Bejandi, i akuzuar zyrtarisht nga 26 korriku, ka udhëhequr pesë organizata shiite me lidhje me Teheranin.

Bejandi është kleriku më i njohur iranian ndaj të cilit është ngritur akuzë ndonjëherë në shtetin me popullatë shumicë myslimane, duke e ndërprerë kështu një ndikim të rrallë të Teheranit në Evropë.

Në kontinentin e vjetër, organizatat bamirëse që besohet se kanë lidhje me Iranin gjithashtu operojnë në Shqipëri, Maqedoni dhe Bosnjë e Hercegovinë.

Akuza ndaj Bejandit bëhet në një kohë kur ka veprime nga autoritetet ndaj organizatave islamike që financohen nga jashtë dhe të cilat qeveria i fajëson për radikalizimin e të rinjve të Kosovës, një numër i të cilëve i janë bashkuar grupeve ekstremiste në Siri dhe Irak.

Por, Teherani është shumë i përfshirë në luftën kundër grupit Shteti Islamik dhe është e paqartë se në çfarë lloji të terrorizmit sakt dyshohet se është i përfshirë Bejandi, veçanërisht kur kihet parasysh se terrorizmi në Kosovë kryesisht lidhet me IS-in.

Propaganda kundër-perëndimore

Organizatat bamirëse iraniane kanë nisur aktivitetet e tyre menjëherë pasi ka përfunduar lufta në Kosovë në vitin 1999. Ato kanë ndërtuar shkolla dhe xhami, por me vete e kanë sjellur edhe një lloj më konservativ të Islamit shiit. Grupet gjithashtu kanë përhapur propagandë anti-perëndimore dhe antisemitizëm.

Veprimtaria e tyre gjithashtu shihet si e lidhur me përpjekjet afatgjate të Teheranit për të eksportuar revolucionin islamik të saj.

“Aktivitetet e Iranit në Kosovë janë pak a shumë të nëndheshme”, thotë Visar Duriqi, një gazetar hulumtues që punon për portalin Gazeta Express.

“Aktivitetet e tyre nuk kanë tërhequr shumë vëmendjen. Por, kjo ndryshoi kur autoritetet zbuluan se OJQ-të ishin duke fshehur burimet e tyre të të ardhurave dhe qëllimet e shpenzimit të tyre”, ka thënë më tej ai.

Bejandi ka qenë udhëheqës i Fondacionit Qur’an Kosova, një organizatë që përfshinte pesë organizata të tjera që operonin në Kosovë dhe të cilat gjatë muajve të fundit janë mbyllur.

Prokuroria e Shtetit thotë se Bejandi akuzohet për pastrim parash të qindra mijëra eurove të padeklaruara në mes të viteve 2005 dhe 2015.

Naim Rashiti, analist i Grupit për Kërkimin e Politikave të Ballkanit, një organizatë me seli në Prishtinë thotë se Irani kryesisht është një lojtar i vogël në garën për ndikimin islam në Ballkan, zonë kjo ku dominojnë Arabia Saudite dhe shtetet e Gjirit.

"OJQ-të e para të krijuara këtu kanë pasur lidhje me Wahabizmin dhe Arabinë Saudite. Iranianët kanë ardhur pak më vonë dhe kanë qenë me staf më të vogël. Ndikimi i tyre nuk ishte po aq i fuqishëm sa i arabëve”, thotë Naim Rashiti.

Shumë kosovarë përkrahin lidhjet e afërta të qeverisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke iu falenderuar bombardimit të NATO-s në ish Jugosllavi, por edhe përkrahjes që Uashingtoni i jep pavarësisë së Kosovës.

"OJQ-të iraniane janë vëzhguar më shumë nga autoritetet në krahasim me organizatat e tjera të huaja në Kosovë. Këto OJQ kanë qenë një lloj çështjeje shtesë për arsye politike”, thotë Naim Rashiti.

Lidhjet me Iranin

Gazetari Duriqi, që ka hulumtuar për një vit këto fondacione humanitare iraniane në Kosovë, thotë se organizata Qur’ani ka lidhje me Ikballe Huduti-Berisha, një nga lideret e komunitetit shiit në pjesën jugperëndimore të Kosovës.

Vajza e saj, Zehra Huduti, ka shkaktuar zemërim kur gjatë një paraqitjeje publike në mediumin iranian, “Nasr TV”, para tre vjetësh në Teheran ka thënë se ajo dëshiron ta “luftojë Izraelin dhe Amerikën”.

Grupi i këtyre OJQ-ve duket se ka lidhje me Universitetin Kombëtar “Al Mustafa” që udhëhiqet nga Ajatollah Alireza Aarafi, anëtar i Këshillit Suprem të Iranit për Revolucion Kulturor.

Ai është dhe një nga udhëheqësit e lutjeve të së premtes në qytetin iranian, Qom.

Universiteti në fjalë thotë se Bejandi është përfaqësuesi i tyre në Kosovë. Ky institucion thotë se ka degë në disa vende të botës, përfshirë edhe në Kosovë.

Mehdi Khalaji, një ligjërues në Institutin e Uashingtonit për Politika të Lindjes së Afërt, që ka studiuar edhe teologjinë në Qom shkruan se Universiteti "Al Mustafa" është pronë dhe në fakt udhëhiqet nga Lideri Suprem iranian, Ayatollah Ali Khamenei.

Universiteti Kombëtar Al Mustafa në faqen e vet të internetit thotë se është e vetmja qendër aktive iraniane në Kosovë, prej vitit 2000. Ajo dyshohet nga autoritetet në Kosovë se është aktive në pesë institucione.

Këto institucione operojnë në dy qytete të mëdha të Kosovës: “Qur'an Foundation of Kosova” që është themeluar në Prizren në vitin 2002, dhe Instituti “Ibn Sina” për Shkenca Njerëzore që është themeluar në Prishtinë në vitin 2012.

Më pas është edhe organizata që përbëhet në tërësi nga femrat, NISA po në kryeqytet, grupi “Bregu i Diellit” po në Prishtinë dhe Instituti “Ahle Beyt” i themeluar në Prizren në vitin 2007.

Në faqen e vet të internetit, Universiteti Al Mustafa thotë se ka qenë aktiv duke iu mësuar Kuranin dhe gjuhën perse vendorëve, por edhe ka organizuar konferenca, ngjarje dhe ka publikuar tekste fetare.

Veprimet kundër fondacioneve islamike

Prej vitit 2014, autoritetet në Kosovë kanë mbyllur dhjetëra organizata që financohen nga jashtë, kryesisht ato nga Arabia Saudite me qëllim që të ndalojnë problemin e radikalizmit në Kosovë.

Qeveria vlerëson se janë më shumë se 300 qytetarë të Kosovës që kanë udhëtuar drejt Lindjes së Mesme për t’iu bashkuar militantëve të Shtetit Islamik në Siri dhe Irak. Kjo e bën shtetin me gati 2 milionë banorë si kontribuesin më të madh për kokë banori me ushtarë për grupin ekstremist.

Fondacionet islamike kryesisht udhëheqin shkolla, konvikte dhe programe sociale. Por, ato gjithashtu kanë agjenda tejët konservatore fetare. Grupet në fjalë akuzohen se iu shpërlajnë trurin të rinjëve dhe i rekrutojnë ata për qëllime ekstremiste jashtë vendit.

Sipas një ligji të ri, autoritetet mund të burgosin qytetarët e Kosovës deri në 15 vjet nëse iu bashkohen luftërave jashtë Kosovës.

Autoritetet thonë se 50 persona të radikalizuar në Kosovë janë vrarë në luftimet në Siri dhe Irak, dhe rreth 120 prej tyre janë kthyer. Më shumë se 100 persona janë arrestuar deri më tash apo janë nën hetime për rekrutim apo luftim përkrah Shtetit Islamik. "Radio Evropa e Lirë"

Përgatiti: Artan Haraçia

*Ky material është përmirësuar për të qartësuar se Hasan Azari Bejandi nuk është arrestuar, por ndaj tij është ngritur akuzë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG