Ndërlidhjet

logo-print

HRW reagon ndaj abuzimit të fëmijëve të arrestuar


Ilustrim

Ilustrim

Mijëra fëmijë nga zonat e prekura nga konfliktet janë arrestuar pa ndonjë padi për muaj të tërë apo edhe vite, si kërcënime të sigurisë kombëtare, thuhet në një raport të lëshuar sot nga organizata Human Rights Watch.

Shumë prej tyre, sipas raportit, janë torturuar apo edhe kanë vdekur gjatë kohës sa ishin në paraburgim.

Kjo organizatë u bën thirrje qeverive që mos t’i burgosin fëmijët pa ndonjë padi dhe njëkohësisht t’i dënojnë ata që i keqtrajtojnë fëmijët.

Raporti prej 35 faqeve, i titulluar: “Masat ekstreme: Abuzimet kundër fëmijëve të burgosur si kërcënime të sigurisë kombëtare” dokumenton arrestimin dhe burgosjen e fëmijëve nën dyshimet për lidhjet e tyre me grupet e armatosura jo-shtetërore apo për përfshirje në vepra që kanë lidhje me konflikte.

Legjislacioni i dobët kundër terrorizmit, i adoptuar me qëllim të luftimit të grupeve të armatosura ekstremiste, si Boko Harami dhe Shteti Islamik, ka rritur numrin e fëmijëve të burgosur që shihen si kërcënim i sigurisë së vendit, thuhet në raport.

HRW në veçanti ka ekzaminuar qendrat e paraburgimit dhe trajtimin e fëmijëve në Afganistan, në Kongo, Irak, Izrael dhe Palestinë, Nigeri dhe Siri.

HRW thekson se në shumë prej këtyre vendeve, fëmijët e burgosur privohen nga e drejta për ta pasur një avokat, apo takime me familjarët, apo edhe për ta sfiduar burgosjen e tyre para një gjykatësi.

Sipas raportit, shumë fëmijë janë në kushte të mjerueshme, vendosen në çeli të tejmbushura me të rritur, dhe kanë mungesë të ushqimit dhe përkujdesjes mjekësore. (REL)

XS
SM
MD
LG