Ndërlidhjet

Spastrimet në ushtrinë turke po ndikojnë në luftën kundër IS-it


Drejtori i Inteligjencës Kombëtare amerikane, James Clapper - Arkiv
Drejtori i Inteligjencës Kombëtare amerikane, James Clapper - Arkiv

Spastrimet që autoritetet turke po i bëjnë ushtrisë pas dështimit të grusht shtetit është duke penguar bashkëpunimin me operacionet ushtarake dhe ato të inteligjencës amerikane kundër grupit militant, Shteti Islamik, kanë thënë zyrtarë amerikanë më 28 korrik.

Drejtori i Inteligjencës Kombëtare amerikane, James Clapper dhe Shefi i Komandës Qëndrore të Shteteve të Bashkuara, Joseph Votel gjatë fjalimeve në Forumin e Aspenit për Siguri në Colorado, kanë thënë se spastrimet kanë larguar oficerët të cilët i kanë ndihmuar Shtetet e Bashkuara në përpjekjet e tyre për të mundur IS-in.

Disa prej këtyre oficerëve kanë përfunduar në burg.

Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan ka nisur spastrime masive në ushtrinë e vendit që është e dyta më e madhe në NATO pas dështimit të puçit, ndërsa më 28 korrik ka thënë se ka qëllim ta vë ushtrinë tërësisht nën kontrollin e tij. Rreth 1700 pjesëtarë të ushtrisë janë pezulluar me dyshimin se kanë qenë të përfshirë në puçin e dështuar ushtarak më 15 korrik, përfshirë edhe rreth 40 % të gjeneralëve dhe admiralëve të Turqisë.

Rreth një e trea e 360 gjeneralëve turq janë burgosur, dhe mbi 100 prej tyre përballen me aktakuzë derisa janë në pritje të proceseve gjyqësore.

“Kjo po ndikon sepse ka prekur të gjitha segmentet e aparatit të sigurisë kombëtare në Turqi”, ka thënë Clapper.

“Shumë nga bashkëpunëtorët tanë janë larguar apo arrestuar... Nuk ka dyshim që kjo do të shkaktojë ngecje apo do e bëj më të vështirë bashkëpunimin me turqit”, ka thënë në fund Clapper.

XS
SM
MD
LG