Ndërlidhjet

logo-print

Komuna e Prishtinës ka gjobitur Komitetin Olimpik të Kosovës pas ndërprerjes së punimeve në sheshin "Zahir Pajaziti", ku përfaqësuesit e Komitetit po vendosnin, rrathët olimpik në kuadër të aktiviteteve për të shënuar pjesëmarrjen e Kosovës në Lojërat Olimpike.

Zyrtarë të komunës thanë se Komiteti Olimpik i Kosovës nuk ka kërkuar lejen për vendosjen e rrathëve në shesh.

Miranda Mullafazliu, zëdhënëse në Komunën e Prishtinës, i tha Radios Evropa e Lirë se për çfarëdo organizimi në kryeqytet, edhe kur bëhet fjalë për ngjarje historike, patjetër duhet të kërkohet leje me kohë.

"E dini se për shfrytëzimin e hapësirave publike duhet të kërkohet leje nga Drejtoria e Shërbimit Publik, gjë të cilën Komiteti Olimpik nuk e ka bërë, ata përkundër asaj kanë filluar punimet në sheshin "Zahir Pajaziti" në pjesën e gjelbërimit aty, ku kanë filluar të vendosin shtylla dhe një konstruksion të fortë, pa e paralajmëruar Komunën. Inspektorati ka dalur në teren, i ka ndërprerë punimet dhe Komitetit i është shqiptuar gjoba", tha Mullafazliu.

Por kryetari i Komitetit Olimpik, Besim Hasani, i tha Radios Evropa e Lirë, më heret gjatë ditës, se Komiteti po e anulon një aktivitet të tij për shkak se Komuna e Prishtinës nuk ka ofruar hapësirën edhe pse ka qenë e njoftuar paraprakisht për këtë ngjarje të madhe.

"Arsyetimi ishte banal, kinse nuk është këtu drejtori i Urbanizmit, Liburn Aliu, dhe kryetari i Komunës Shpendi (Ahmeti). ata i kanë kompetencat. Kushtet janë plotësuar, informatat janë dhënë me kohë, kemi kërkuar një leje të përkohshme, që ka qenë në funksion të promovimit", tha Hasani.

Komiteti Olimpik i Kosovës ka nisur një varg aktivitetesh për shënimin e pjesëmarrjes së 8 sportistëve nga Kosova në disiplina të ndryshme, në Lojërat Olimpike të Rios, për ta përmbyllur ditën me pranimin e flamurit olimpik nga Presidenti i Kosovës.

Kjo është hera e parë që Kosova merr pjesë në Lojërat Olimpike që prej shpalljes së pavarësisë së saj.

XS
SM
MD
LG