Ndërlidhjet

logo-print

Tensione në Armeni, grupi mohon ta ketë vrarë policin

  • RFE /RL

Erevan

Erevan

Grupi i armatosur opozitar i barrikaduar brenda një stacioni policor në kryeqytetin Erevan në Armeni, tha se nuk e ka vrarë pjesëtarin e policisë. Kjo deklaratë u bë në kohën kur tensionet në këtë vend po vazhdojnë edhe të dielën.

Udhëheqësi i grupit, Varuzhan Avetisyan, tha të dielën se policia gaboi kur e akuzoi grupin për vrasjen e policit.

Policia e Armenisë tha se në momentin kur ishte vrarë, polici ishte ulur në veturën e policisë për patrullim, në largësi prej 400 metrave nga kompleksi ku janë të barrikaduar personat e armatosur.

Një ultimatum i autoriteteve të Armenisë, të cilët janë kërcënuar me një sulm të shkallës së gjerë, ka skaduar të shtunën.

Afër stacionit të okupuar të policisë mbrëmë vonë janë dëgjuar të shtëna dhe eksplodime të vogla.

Një kamerë e Redaksisë së Armenisë së Radios Evropa e Lirë, të shtunë tregonte pjesëtarët e policisë, që ende qëndronin në barrikadat jashtë ndërtesës së policisë.

Personat e armatosur, kryesisht veteranë nga konflikti me Azerbajxhanin për rajonin Nagorno-Karabah, janë brenda ndërtesës që prej 17 korrikut.

Ata kërkojnë lirimin e liderit të burgosur opozitar, Zhirayr Sefilian.

Ky grup, po ashtu, kërkon edhe dorëheqjen e presidentit dhe kryeministrit të Armenisë, për shkak të menaxhimit të tyre të mospajtimit të gjatë me Azerbajxhanin, për rajonin Nagorno – Karabah.

Mijëra mbështetës të personave të armatosur u tubuan të shtunën mbrëma në pjesën qendrore të kryeqytetit Erevan, për të kërkuar nga autoritetet që të mos përdorin forcë për ta përfunduar okupimin e stacionit të policisë.

Protestuesi Albert Bagdassian, i tha Radios Evropa e Lirë se qëllimi i tyre është “për ta mbështetur grupin kundër vendimit të shërbimeve të sigurisë për lansim të sulmit, për të marshuar në rrugë duke e paralizuar trafikun dhe për të treguar se ne nuk jemi të frikësuar”.

Stacioni i policisë ishte okupuar nga afro 30 persona të armatosur, të cilët e kishin vrarë një oficer dhe plagosur disa të tjerë, gjatë sulmit të tyre kundër stacionit policor.

Tetë persona prej grupit të armatosur ishin plagosur gjatë marrjes së kontrollit në këtë stacion, përfshirë tre që ishin qëlluar në këmbë nga snajperistët, më 29 korrik.

Natën vonë më 29 korrik, qindra mbështetës të grupit ishin përpjekur të marshojnë kah kompleksi i policisë, por ishin bllokuar nga policia speciale.

Autoritetet thanë të shtunën se 75 vetë ishin plagosur në këto përleshje dhe më se 20 të tjerë ishin arrestuar.

Tre korrespondentë të Radios Evropa e Lirë ishin në mesin e pjesëtarëve të medieve, që ishin rrahur me shkopinj dhe shufra metalike nga personat që dukej se ishin policë me të veshura civile.

Presidenti i Radios Evropa e Lirë, Thomas Kent, ështëshprehur i “tmerruar” për sulmet kundër gazetarëve, që po e kryenin detyrën e tyre.

Policia tha se 165 vetë ishin arrestuar gjatë demonstratës. Më vonë ajo njoftoi se 26 prej tyre ishin liruar.(REL)

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG