Ndërlidhjet

logo-print

Luftime të ashpra në Kabul pasi talibanët sulmojnë hotelin me të huaj

  • RFE /RL

Një betejë në mes të talibanëve të armatosur dhe forcave të sigurisë afgane ka shpërthyer gjatë natës në një objekt që përdoret nga kontraktorët e huaj në Kabul.

Policia ka njoftuar se një kamion i mbushur me eksploziv ka shpërthyer në afërsi të portave të Hotelit “Northgate” në orën 1:30 të mëngjesit sipas kohës lokale, ndërsa më pas militantët e kanë sulmuar objektin.

Rrugët në lagje janë mbyllur nga forcat afgane të sigurisë, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë shkuar shumë trupa afgane dhe njësi policore. Mediat e vendit kanë raportuar se forcat e misionit të NATO-s gjithashtu janë përfshirë në ngjarjen që korrespondentet e kanë përshkruar si “operacion pastrimi”.

Gazetarët gjithashtu kanë raportuar se kanë dëgjuar shpërthimin e shkaktuar nga raketat granata që janë përdorur brenda hapësirës që rregullisht ruhet jashtëzakonisht shumë. Objekti në fjalë gjendet në pjesën lindore të aeroportit ndërkombëtar të Kabulit.

Shefi i i policisë së qytetit, Abdul Rahman Rahimi ka thënë se një nga sulmuesit ka vdekur kur është shpërthyer eksplozivi në kamion, ndërsa dy militantë të tjerë janë vrarë nga policia gjatë përleshjeve me armë zjarri.

Sulmi tashmë ka marrë fund.

Një polic është vrarë, ndërsa katër të tjerë janë plagosur. Klientët dhe stafi i hotelit “Northgate” nuk janë lënduar. Energjia elektrike në disa pjesë të Kabulit është ndalur pak kohë pas shpërthimit.

Talibanët e kanë marrë përgjegjësinë për sulmin duke thënë se kamioni bombë e ka hapur rrugën për luftetarët që të hyjnë në brendi të hapësirës në fjalë së bashku me lansues të raketave granata dhe pushkë automatike.

Talibanët, një grup militantësh i njohur që rregullisht japin të dhëna të ekzagjeruara rreth numrit të viktimave gjatë sulmeve të tyre, pretendojnë se luftetarët e tyre kanë vrarë dhe plagosur mbi 100 të huajë, të cilët ata i quajtën “okupatorët amerikanë”.

Hoteli në fjalë jo vetëm që ka shumë mysafir të huaj, objekti përdoret edhe për logjistikë e trupave të huaja, dhe kontraktorëve civilë në Afganistan.

Më 2013, objekti kishte fituar status diplomatik duke i lejuar që për sigurinë e saj të përdor kompani të huaja të sigurisë e jo forcat e ministrisë së brendshme afgane. Një sulm i njëjtë nga talibanët ka ndodhur edhe atë vit, kur një kamion bombë i përcjellur nga sulme me armë zjarri kanë vrarë nëntë persona, përfshirë katër nepalezë dhe një britanik.

Sulmi i fundit ka ndodhur rreth një javë pasi grupi tjetër militant, Shteti Islamik e ka marrë përgjegjësinë për një sulm vetvrasës gjatë një demonstrate paqësore të grupit minoritar Hazara, duke vrarë së paku 80 persona.

Sulmi në këtë hotel ka ndodhur edhe pas një sulmi në qershor ndaj një konvoji të kontraktorëve nepalezë të sigurisë të cilët kanë punuar për ambasadën kanadeze. (REL)

Përgatiti: Artan Haraçia

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG