Ndërlidhjet

logo-print

Serbia “ulë” çmimin e grurit në Kosovë


Ilustrim

Ilustrim

Prodhues bujqësorë në Kosovë kanë akuzuar kompanitë për prodhimin e miellit në Kosovë se po importojnë grurë me afat të skaduar nga Serbia, që ka edhe cilësi të dyshuar.

Kjo, sipas tyre, ka bërë që çmimi i grurit në Kosovë të jetë shumëi ulët, dhe sipas tyre arrin në 0.15 euro, që siç thonë nuk e vlen as të mbillet kjo kulturë e drithërave.

Përfaqësues të shoqatës së bujqve të Kosovës thonë se ndikim në çmimin jashtëzakonisht të ulët të grurit ka shteti i Serbisë.

Tahir Tahiri, kryetar i kësaj shoqate, për Radion Evropa e Lirë ka thënë se kompanitë për prodhimin e miellit në Kosovë, blejnë grurë të vjetër dhe me cilësi të dobët në shtetin e Serbisë,me çmime tejet të ulëta. Në këtë mënyrë, sipas tij, po dëmtohen fermerët në Kosovë.

“Po shkojnë po marrin grurë nga Serbia, grurin e rezervave të Serbisë, tri katër vite të vjetër, të cilit i ka humbur cilësia dhe kualiteti, me çmime jashtëzakonisht të ulëta. Dhe e kanë ulë çmimin e grurit në Kosovë. Ky është faktori kryesor që çmimi i grurit në Kosovë sillet 0.15 cent. Është shumë dëshpëruese dhe sjellje jashtëzakonisht e keqe e mullisëve të Kosovës “, thotë Tahiri.

Se çmimi i grurit është shumë i lirë e konfirmojnë edhe përfaqësues të shoqatës se mullisëve të Kosovës, sipas të cilëve, kjo është pasojë e sasisë së madhe të grurit të kultivuar në vendet e rajonit.

Misin Voci, kryetar në këtë Shoqatë, për Radion Evropa e Lirë ka treguar se blerja e grurit në vendet e rajonit është më e lirë, për shkak se nuk janë të obliguar të paguajnë Tatimin Mbi Vlerën e Shtuar.

Voci, që në pronësi familjare kanë katër mullinj në Prizren, Suharekë, Rahovec dhe Malishevë, shprehet se çmimi i grurit është shumë i ulët, dhe që sipas tij, nuk ia vlen të kultivohet.

“Çmimi i grurit në Serbi ndikon shumë, sepse çmimi i një toni me grurë në Serbi është nga 110 -115 euro. Neve na leverdisë të blejmë nga importi, sepse e kemi Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, kurse kur blejmë nga bujqit në Kosovë, nuk mund të rimbursojmë TVSH-në, pasi në këtë kuadër ka probleme më Administratën Tatimore të Kosovës.”

“Pra, të flitet në aspektin e bujkut në Kosovë, nuk ia vlen me mbjell grurë, sepse nuk i mbulon shpenzimet”, ka thënë Voca.

Ndërsa Tahir Tahiri konsideron se autoritetet kompetente duhet të marrin masa, në mënyrë që të ruhet dhe shitet gruri i kultivuar në Kosovë.

“Ka faj qeveria, ministria e bujqësisë,inspektorët komunal dhe të ministrisë, të cilët nuk i përcjellin veprimet e mullisëve të Kosovës”, ka thënë Tahiri.

Sidoqoftë, në Kosovë tashmë ka përfunduar fushata e korrje-shirjeve dhe, sipas të dhënave zyrtare, Kosova as gjatë këtij viti nuk përmbush qind për qind nevojat e popullatës me grurë.

Cilësia e grurit, sipas tyre, sivjet është e mirë, kurse rendimentet mesatare kanë arritur deri në 4,600 kilogramë për hektarë. (REL)

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG