Ndërlidhjet

logo-print

Bach e mbron mospërdorimin e ‘opsionit bërthamor’ kundër Rusisë

  • RFE /RL

Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach, ka bërë thirrje për rishikim të sistemit global kundër dopingut derisa e ka mbrojtur mospërdorimin e asaj që ai e ka quajtur “opsionin bërthamor” kundër tërë ekipit rus që dëshiron të marrë pjesë në Lojëra Olimpike të Rios.

Gjatë një takimi të sotëm të Komitetit në Rio të Brazilit, Bach a ka kritikuar sërish Agjencinë Kundër Dopingut (WADA) pse i ka publikuar akuzat e rënda nga shtetit rus i cili ka fshehur abuzimin me substanca të ndaluara nga atletët e këtij shteti, vetëm pak javë para fillimit të Olimpiadës së 5 gushtit.

Kjo sipas tij e ka detyruar KON-in dhe federatat e sporteve që të nxitojnë për të vendosur për ekipin prej 387 atletëve rusë që duan të marrin pjesë në lojërat e Rios.

Shumica e anëtarëve të Komitetit prej 86 pjesëtarëve kanë përkrahur kritikat e Bachut në një debat të nxehtë, derisa shefi i Agjencisë Kundër Dopingut, Craig Reedie, i ka pranuar mangësitë e organizatës që e drejton. Por, megjithatë në fund të debatit duket sikur është vendosur paqe në mes të dy organizatave sportive.

“Nuk ndodh shpesh që sporti të përballet me atë që ka ndodhur në Rusi”, ka thënë Reedie dhe ka shtuar se “Kjo është vështirë të trajtohet. Kjo gjë ka vendosur presion mbi KON-in dhe WADA. Është e natyrshme që në kohëra të tilla të turbullta, njerëzit të drejtojnë gishtin drejt njëri tjetrit”.

Reedie gjithashtu ka thënë se vendimi fillestar i KON-it për të ndaluar së paku 117 nga 387 atletët rusë dhe masat e tjera që janë marrë nga agjenci të tjera sportive në lidhje me skandalin në fjalë nuk e trajtojnë sa duhet problemin e madh që Rusia e ka me dopingun.

“Është absolutisht esenciale që shteti më i madh në botë të zbatoj rregullat e dopingut në baza të përhershme”, ka thënë ai.

Bach në anën tjetër ka thënë se thirrja e tij për rishikim të Agjencisë Kundër Dopingut nuk ka qëllim “të shkatërroj strukturat, por të përmirësojë dukshëm sistemin”, duke krijuar një “sistem më efikas”.

Bordi ekzekutiv i Olimpiadës në vendimin e tij të 24 korrikut ku nuk pranon të ndalojë tërë ekipin rus të marrë pjesë në Rio është votuar nga 85 anëtarët e komitetit, derisa vetëm një ka qenë kundër. Ky vendim kundërshtonte rekomandimin e ËADA-s që kërkonte përjashtim e Rusisë nga Olimpiada e Rios.

“Nga disa kjo ishte quajtur si opsioni bërthamor, derisa atletët që nuk kanë abuzuar me substanca të ndaluara janë quajtur si dëm kolateral”, ka thënë Bach.

“T’i shqyrtojmë për pak pasojat e një opsioni bërthamor. Rezultati është vdekje dhe shkatërrim. Kjo nuk është arsyeja pse ekziston lëvizja Olimpike. Lëvizja Olimpike ka të bëjë me jetën dhe ndërtimin e një të ardhme më të mirë”, ka thënë më tej Bach.
Njejtë sikur Bach, pjesëtarëi i komitetit olimpik nga Izraeli, Alex Gilady e ka pyetur Agjencinë Kundër Dopingut pse nuk ka ndërmarrë asgjë kur para disa vjete ata i kanë kontaktuar personat e parë me informacione rreth dopingut në Rusi.

“Këtu nuk është fjala për rikthimin e reputacionit të KON-it, por të WADA's”, ka thënë Gilady.

Presidenti i Komitetit Olimpik rus, Aleksandr Zhukov, është ankuar për “diskriminimin” e atletëve rusë ndërsa ka thënë se “jeta dhe fati i atletëve të pafajshëm janë shkatërruar”.

Ai gjithashtu ka vlerësuar se agjencitë kundër dopingut, atletët, mediat dhe politikanët që kanë bërë thirrje për ndalim total të pjesëmarrjes së ekipit rus në Olimpiadë janë përkrahës të “ndërhyrjes politike” në sporte.

Zhukov, megjithatë është shprehur i kënaur me vendimin e KON-it për ndalim të pjesshëm të atletëve rusë në Olimpiadë.

“Të gjithë homologët e mi në KON e kanë përkrahur Rusinë, atletët e pastër rusë dhe idenë që Rusia duhet të jetë e pranishme në Olimpiadë. Pa Rusinë, këto Lojëra Olimpike do të humbisnin një pjesë të madhe të interesit”, iu ka thënë ai gazetarëve në Rio.

Ai ka shtuar edhe se lista e plotë e atletëve që do iu lejohet të marrin pjesë në Rio nuk do të dihet deri më 4 gusht, një ditë para se të nisin Lojërat Olimpike, pasi shumë atletë e kanë apeluar vendimin për t’iu ndaluar pjesëmarrjen në Rio, te Gjykata e Arbitrazhit për Sport.

Olimpiada do të mbahet nga 5 deri më 21 gusht.

Reedie ka thënë se agjencia e tij do të kryej një hetim të brendshëm për të verifikuar çfarë është bërë gabim në lidhje me skandalin e dopingut në Rusi. Ai ka thënë se agjencia ka nevojë për më shumë personel dhe buxhet për të bërë punë më të mirë.

“Dua të besoj që i tërë sistemi nuk është i shkatërruar”, ka thënë Reedie dhe ka shtuar se “disa pjesë të sistemit janë. Ne duhet të fillojmë të identifikojmë këto pjesë që kanë nevojë trajtim”.

Disa anëtarë të Komitetit Olimpik e kanë kritikuar përfshirjen e atletes ruse, Yulia Stepanova në listen e atyre që iu është ndaluar pjesëmarrja në Olimpiadë pasi ajo ka qenë një ndër të parat që ka njoftuar agjencitë për abuzimin me substanca të ndaluara nga atletët rusë.

“Fatkeqësisht, vendimi për përjashtimin e Stepanovës e dëmton luftën kundër dopingut”, ka thënë britaniku, Adam Pengilly.

Përgatiti: Artan Haraçia

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG