Ndërlidhjet

Arrestohet një malazez në Nikshiq për krimet e luftës në Kosovë


Ilustrim - Policia malazeze
Ilustrim - Policia malazeze

Prokuroria Speciale e Mali të Zi për krim të organizuar dhe krime lufte ka konfirmuar se ka arrestuar Vlada Zmajeviqin (47 vjeç) nga Nikshiqi me dyshimin se “ka kryer krime lufte kundër popullatës civile në Kosovë më 1999”.

"Me urdhër të prokurorisë speciale shtetërore, pjesëtarët e njësisë speciale të policisë në bashkëpunim me pjesëtarët e Drejtorisë së Policisë në Nikshiq e kanë arrestuar V.Z. me dyshimin e bazuar se ka kryer vepër penale – krime lufte kundër popullsisë civile. Të dyshuarin në hapësirat e Prokurorisë do ta marrë në pyetje prokurori special, pas të cilit do të merret vendimi për veprim të mëtejmë”, tha Prokuroria.

Njoftimi për arrestim u dha më heret nga e përditshmja malazeze Vjesti.

Drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj, i tha Radios Evropa e Lirë se Vlado Zmajeviq ishte i pari në listë për krimet në Zhegër të Gjilanit.

Në bazë të hulumtimeve gjatë vitit 2000, Fondi ka dokumentuar se në këtë krim janë vrarë gjashtë persona, më 29 dhe 30 mars 1999.

"Në bazë të dëshmive të dëshmitarëve, më 29 mars 1999, tetë autobusë, sipas të gjitha gjasave, me vullnetarë të Ushtrisë Jugosllave, kanë arritur në fshat dhe kanë vrarë gjashtë persona. Natyrisht, të gjithë civilë të përkatësisë shqiptare, në mesin e të cilëve edhe pleq dhe gra."

"Në bazë të asaj që ne posedojmë bëhet fjalë për dy gra dhe katër burra. Banorët e fshatit nuk i kanë njohur kryesit e veprës, por kanë qenë në gjendje të përshkruajnë pamjen, uniformat, megjithëse nuk i kanë njohur ato fytyra”, tha Blakaj.

Sipas tij, “duket se Sekretariati i punëve të brendshme në Gjilan ka dorëzuar aktpadi ndaj shtatë personave në prokurorinë ushtarake për këtë krim, kurse i pari në listë ka qenë Vlado Zmajeviq”, tha Blakaj për Radion Evropa e Lirë.

XS
SM
MD
LG