Ndërlidhjet

logo-print

Përfundon e qetë protesta në Prishtinë


Një grup i qytetarëve kanë protestuar në qendër të Prishtinës, për siç thuhet "kundër përgjimeve telefonike", që janë publikuar gjatë kësaj jave.

Gjatë gjithë kohës së mbajtjes së protesës në prapavijë janë dëgjuar audio incizime të bisedave të përgjuara.

Protesta është iniciuar përmes një publikimi në rrjetin social Facebook.

Në këtë llogari është thënë se pas skandaleve të përgjimeve po shihet hapur ndikimi ilegal i politikanëve të korruptuar në të gjitha institucionet pa dallim.

Siç shkruhet në këtë faqe, thuhet se protesta është kundër korrupsionit, kundër ndikimit të klaneve në institucione, kundër papunësisë, kundër nepotizmit, kundër strukturave mafioze dhe kundër sistemit të ndikuar të drejtësisë

Protestës iu kanë bashkuar edhe pjesëtarë të shoqërisë civile si dhe disa zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Vetëvendosje përmes një komunikate të enjten, ka mbështetur protestën. Sipas kësaj partie ”reagimi qytetar kundër formave të ndryshme të padrejtësisë e shtypjes është shpresa e vetme për perspektivën e këtij vendi".

Ndryshe gazeta në internet Insajderi, për një javë është duke publikuar bisedat e përgjuara telefonike të shefit të grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci më zyrtarë të lartë të Partisë, që sipas gazetës, shfaqin ndikimin e ushtruar nga kjo parti në emërimet në postet qeveritare, në drejtësi, media dhe në polici.

Gazeta pohon se ka mbi njëmijë biseda të përgjuara telefonike, të nxjerra me vendim gjykate, gjatë fundvitit 2011.

Protesta ka përfunduar e qetë dhe pa ndonjë incident, kurse është thënë se do të vazhdojë ditën e hënë.

XS
SM
MD
LG