Ndërlidhjet

logo-print

Kosova në prag të dhunës politike


Një nga seancat me gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, 26 shkurt 2016

Një nga seancat me gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, 26 shkurt 2016

Mungesa e një debati politik, fillimisht në Kuvendin e Kosovës dhe në veçanti kundërshtimet e thella politike ndërmjet pushtetit dhe opozitës, mund ta fusin Kosovën në një cikël dhune, thonë analistët politik në vend.

Këmbëngulja e partive në pushtet dhe atyre në opozitë për të mos lëvizur nga qëndrimet e tyre lidhur me çështjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, përveç se e ka thelluar krizën politike në Kosovë, po e kërcënon edhe situatën e sigurisë.

Ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i tha Radios Evropa e Lirë se nuk e beson “që Kosova po futet në një cikël të dhunës politike”, megjithëse e cilësoi “sulmin mbi kuvendin e Kosovës si një atak të rëndë ndaj pavarësisë”.

Debati i organizuar në Kuvendin e Kosovës për çështjen e demarkacionit, sado që uli për herë të parë pas shumë muajsh deputetët e të gjitha forcave politike në një tryezë të përbashkët, megjithatë nuk ndryshoi qëndrimet e palëve dhe as nuk i uli tensionet e krijuara në skenën politike prej shumë muajsh.

Analisti i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, i tha Radios Evropa e Lirë se gjuha e ashpër politike, e përdoruar nga të dy palët, transmeton edhe akte të dhunës.

“Gjuha e ashpër politike pa dyshim se transmetohet edhe në aktet e dhunës, pasi që partitë politike nuk kanë kontroll mbi efektet të cilat i projekton gjuha e tyre tek elektorati dhe mund të ketë edhe akte të dhunës, të cilat vijnë si pasojë e acarimit të gjuhës dhe agresivitetit retorik, i cili është duke u shfaqur këto ditë në skenën politike kosovare”, thotë Muhaxhiri.

Një sulm mbi ndërtesën e Kuvendit të Kosovës me mjete shpërthyese ndodhi pak kohë pasi qeveria e dërgoi në Kuvend projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi.

Sulmi ndaj objektit zyrtar erdhi në kohën e krizës më të thellë politike në Kosovë, dhe pas një periudhe disa mujore të kundërshtimeve të ligjvënësve nga opozita ndaj marrëveshjeve të nënshkruara nga Qeveria për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Analisti Driton Selmanaj, nga Demokracia Plus, thotë për Radion Evropa e Lirë se skena politike në Kosovë është më e tensionuar se asnjëherë më parë, ku siç thotë ai, mungon edhe vullneti për të ndërtuar një qasje konstruktive për të ardhmen e vendit.

Sipas tij, kjo situatë politike, e krijuar nga politikanët në Kosovë, krijon hapësirë që të ketë më pas vend edhe për elemente radikale të natyrave të ndryshme.

“Në momentin kur kemi një destabilitet politik dhe institucional,kur kemi një skenë të politizuar, kur kemi një ambient të tensionuar politikisht, hapësira për veprim të çdo grupi radikal, të çfarëdo lloji, edhe që nuk lidhet me temat të cilat kanë krijuar tension, është ambient i përshtatshëm për ata të cilët nuk e duan të mirë e Kosovën apo perspektivën e saj”, thekson Selmanaj.

Partitë politike në pushtet dhe ato në opozitë, shton Selmanaj, duhet të gjejnë një konsensus politik, në mënyrë që të mos e lejojnë vendin që të futet në një cikël të dhunës, pasi që pastaj pasojat do të jenë të paparashikueshme.

“Situata e fundit, por jo vetëm kjo fundit, por edhe ato që kanë ndodhur më herët, si sulmi ndaj policisë apo sulmi ndaj zyrtarëve publik, apo gazi lotsjellës në Kuvend, duhet të përfundojë dhe të shërbejë si alarm për politikën, që ata të provojnë që çështjet që janë me interes të madh t’i adresojnë me kujdesin maksimal dhe t’i japin zgjidhje politike”, thotë Selmanaj.

Ndërkohë, sulmi ndaj Kuvendi të Kosovës, sipas analistit të çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, është një përpjekje për të destabilizuar vendin dhe se një sulm i tillë nuk duhet të injorohet nga autoritetet e vendit.

“Në aspektin simbolik ky sulm flet shumë, sepse është një sinjal që tregon se duhet të merret seriozisht nga politikanët kosovarë, sepse nuk ka asnjë dyshim se ngjarje të tilla mund të ketë edhe më tej, nëse nuk ka një zbutje të gjuhës së politikanëve, e cila do të ndikonte në qetësimin e situatës dhe tek elektorati i tyre”, shton Muhaxhiri.

Rastet e sulmeve ndaj ndërtesave shtetërore në Kosovë, si dhe të veturave zyrtare, kanë qenë të shumta edhe në të kaluarën.

Ndërtesa e Kuvendit të Kosovës ishte sulmuar para jo më shumë se gjashtë muajsh me koktej molotovi, dhe ende nuk janë zbuluar as motivet dhe as autorët e sulmit.

Ekspertët e fushës së sigurisë vazhdimisht kanë shtruar nevojën e zbardhjes sa më të shpejtë të këtyre rasteve, meqë ato krijojnë, siç thonë, frikë dhe pasiguri tek qytetarët e Kosovës. (REL)

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG