Ndërlidhjet

Ankth e tmerr nga vërshimet në Maqedoni ku humbën jetën 21 veta


Banorët e vendbanimeve të përmbytura në rrethinën e Shkupit, në vendin e quajtur Hasanbeg dhe fshatrat Stajkov, Stracincë, Rashtak dhe Haraqinë e kanë kaluar edhe një natë në ankth nga përmbytjet e shiut i përcjellë me bubullima që nuk ka ndërpre së reshuri gjatë tërë natës ndërmjet të dielës dhe ditës së hënë.

Të reshurat kanë vështirësuar edhe më shumë tërheqjen e ujit nga shtëpitë e përmbytura dhe hapësirat përreth ku ekipet e specializuara të policisë edhe ushtrisë vazhdojnë kërkimet për gjetjen e viktimave eventuale.

Sipas informacioneve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë, ka arritur në 21 numri i viktimave që humbën jetën nga vërshimet, ndërkohë që mbi 70 janë të lënduar.

Në Maqedoni, të hënën është shpallur ditë zie. Këtë vendim e mori të dielën qeveria e Maqedonisë në një mbledhje të jashtëzakonshme pas vërshimeve që goditën Maqedoninë të shtunën në mbrëmje.

Qeveria gjithashtu vendosi që 15 për ditët e ardhshme të shpallet gjendje e jashtëzakonshme në Maqedoninë veri -perëndimore, që u godit më së rëndi nga vërshimet e shkaktuara nga shirat e rrëmbyeshëm, ndërkohë që familjeve të viktimave do tu ndihmohet me një shumë prej 300 mijë denarë (rreth 5 mijë euro).

Pritet që të formohet dhe një komision i veçantë i cili do të del në teren për të verifikuar dëmet të cilat më pas do të kompensohen, ka njoftuar qeveria e Maqedonisë.

Në Hasanbeg të Shkupit të hënën bëhet varrimi i viktimave nga përmbytjet.

Daut Iseni, një qytetar nga Shkupi, për Radion Evropa e Lirë tregon për momentet e tmerrshme përderisa ka humbur të motrën Zemrije Sinanin me nipin Endrit Sinanin, ndërkohë që kishte arritur të shpëtonte mbesën dhe nipin tjetër.

“Shiu erdhi me shumë vrull, nuk kisha hapësirë. Motrës i thash ma jep nipin dhe mbesën të cilët arrita ti hedh mbi tjegulla të një garazhe”.

“Dhe kur u ktheva të marr nipin tjetër dhe motrën dëgjova për herë të fundit motrën teksa më tha ‘vëlla më kap dorën’... ! Nuk munda ta kap, ajo shkoj me ujin dhe unë lartë me nipin e mbesën mbi tjegulla kemi pritur tri orë deri sa u largua uji” na rrëfen Daut iseni.

Në qytetin e Shkupit janë ngritur disa qendra ku mblidhet dhe shpërndahet ndihmë për banorët e goditur nga vërshimet.

Banorët e viseve të përmbytura thonë se kanë nevojë për gjërat elementare për ushqim dhe veshmbathje. Ata ankohen se organet e shtetit janë duke reaguar shumë ngadalë për tu dalë në ndihmë.

“Apeli im është pikë së pari për qeverinë dhe të gjitha institucionet tjera të na ndihmojnë që sa më parë të largojmë ujin nga shtëpitë e përmbytura që të mund të punojmë diçka rreth sanimit të dëmeve të mëdha”.

“Të gjithë ne këtu kemi nevojë për gjërat elementare, ujë të pijshëm ushqim dhe rroba sepse kemi dalë vetëm më këto rroba që kemi” thotë Ejup Bekteshi banorë nga lagja Hasanbeg e Shkupit .

Në lagjen Hasanbeg të Shkupit dhe fshatrat Stajkovci , Stracincë, Rashtak dhe Haraqinë akoma nuk janë sanuar dëmtimet rrjetit elektrik , banorët në këto vise natën e kanë kaluar në errësirë.

Komunikacioni në këto vendbanime qarkullimi me automjete është i vështirësuar si rrjedhojë e automjeteve të shumta të cilat kanë mbetur të ngujuara në baltë pas përplasjes nga rrjedha e vërshimeve. (REL)

XS
SM
MD
LG