Ndërlidhjet

Liderët e Kosovës urojnë kampionen olimpike, Majlinda Kelmendi


Fituesja e medaljes së artë në Lojërat Olimpike, Majlinda Kelmendi
Fituesja e medaljes së artë në Lojërat Olimpike, Majlinda Kelmendi

Udhëheqësit më të lartë të institucioneve të Kosovës kanë uruar fituesen e medaljes së artë olimpike, Majlinda Kelmendi.

“Krenar dhe përplot emocion me suksesin e Majlindës. Flamurin e Kosovës, para miliona shikuesve anekënd botës e flakëroi në ari”, ka shkruar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në profilin e tij në Facebook.

Thaçi i cili po qëndron në Rio të Brazilit ku po zhvillohet Olimpiada 2016, pashkruar se “si askush tjetër, Majlinda personifikon historinë e re të sportit dhe suksesit ndërkombëtar të Kosovës”.

“Ne erdhëm si fitues në Rio dhe po kthehemi sërish fitues në Kosovë”, ka shkruar Thaçi.

Ndërkaq kryeministri, Isa Mustafa, po në Facebook, ka shkruar se Kosova dhe Majlinda arritën atë që shumë shtete nuk kanë arritur ta bëjnë gjatë dhjetëra vjet pjesëmarrjeje në Lojërat Olimpike.

“Kosova jonë e dashur, me heroinën e saj brilante, Majlinda Kelmendin, e bëri që në olimpiadën e parë. Kosova fitoi medaljen e parë olimpike si shtet i pavarur dhe sovran dhe jam i bindur se medaljet do të jenë të pandalshme për sportistët tanë në vitet në vijim”, ka shkruar Mustafa.

Urime drejtuar kampiones olimpike në xhudo, e cila njëherësh është edhe kampione e botës dhe Evropës në kategorinë deri në 52 kilogram, i kanë shprehur edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli dhe kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ai i partisë Nisma, Fatmir Limaj si dhe personalitete të shumta të jetës publike.

XS
SM
MD
LG