Ndërlidhjet

Trump: Emailat e Clintonit mund të fajësohen për ekzekutimin e iranianit

  • RFE /RL

Kandidati republikan për president amerikan, Donald Trump, thotë se emailat e rivales së saj demokrate, Hillary Clinton, mund të jenë përgjegjës për vrasjen e një shkencëtari iranian, i cili është ekzekutuar se ka spiunuar për Shtetet e Bashkuara.

“Shumë njerëz po thonë se iranianët e vranë shkencëtarin, i cili i ka ndihmuar SHBA-të, për shkak të emailave të vjedhur të Hillary Clintonit”, ka shkruar dje Trump në rrjetin Twitter.

Senatori Tom Cotton, mbështetës i zotit Trump, po ashtu, ka sugjeruar lidhje ndërmjet emailave të kandidates demokrate, të dërguar kur ajo ishte sekretare amerikane e shtetit në vitin 2010, dhe ekzekutimit të shkencëtarit, Shahram Amiri.

Ky senator i tha rrrjetit CBS se “ka pasur bisedime ndrmjet këshilltarëve të saj të lartë për këtë zotëri” në korrespondencën e emailave të saj, që ishin publikuar vitin e kaluar, pasi kishin filluar hetimet ndaj sistemit të saj privat të emailave.

Shkencëtari, Shahram Amiri, i cili kishte qasje në detajet e programit atomik iranian, që atëherë ishte sekret, nga Irani kishte arritur në Shtetet e Bashkuara në vitin 2009, por ishte kthyer në vitin 2010, pasi kishte pretenduar se ishte rrëmbyer nga agjencia CIA dhe kishte dëshiruar të kthehej në shtëpi.

Fillimisht ai ishte pritur si hero, por më vonë sikur ishte zhdukur nga paraqitja publike.

Rasti i tij duket se ishte diskutuar nga ndihmësit e zonjës Clinton në emaila.

Një email i dërguar te Hillary Clinton nga këshilltari i saj i lartë, Jake Sullivan, më 5 korrik të vitit 2010, vetëm 10 ditë para se Amiri të kthehej në Teheran, duket se ishte aludim për shkencëtarin.

“Ne kemi çështje diplomatike dhe psikike, e jo juridike. Mikut tanë duhet t’i jepet dalje”, thuhet në këtë email, i cili së pari ishte dërguar nga Richard Morningstar, i dërguar i dikurshëm i Departamentit të shtetit për energji.

Theksohej se “personi ynë, dosido, nuk do të jetë në gjendje të bëjë asgjë. Nëse ai duhet të largohet, le të bëhet”.

Në një tjetër email dërguar nga zoti Sullivan, më 12 korrik 2010, duket se në mënyrë të tërthortë i bëhet referencë shkencëtarit iranian, vetëm disa orë para se ai të paraqitej në seksionin e interesave të Iranit në Ambasadën e Pakistanit në Uashington, ku ai kishte kërkuar që t’i lejohet kthimi në Iran.

“Zotëriu...qartas ka shkuar te seksioni i interesave të vendit të tij, pasi është i pakënaqur se sa shumë kohë ka kaluar për ta mundësuar shkuarjen e tij”, ka shkruar Sullivan.

Repubikanët akuzojnë se emailat, që janë bërë publikë pas kërkesave të përsëritura të kritikuesve të zonjës Clinton nga Partia Republikane, ishin burim i informacionit për qeverinë e Iranit, se Amiri ishte në arrest në Shtetet e Bashkuara, ku ai ka mundur t’i zbuloj sekretet dhe është konsideruar si “miku ynë”.

Zëdhënësi gjyqësor iranian, Gholamhosein Mohseni Ejeie, tha dje se Amiri ishte ekzekutuar për “zbulimin e fshehtësive të nivelit më të lartë tek armiku”.

Fushata e zonjës Clinton nuk ka reaguar menjëherë ndaj këtyre akuzave.

Zëdhënësja e Departamenntit amerikan të shtetit, Elizabeth Trudeau, ka refuzuar të diskutoj për çështjet specifike të rastit Amiri.

Por, ajo i ka përsëritur shqetësimet e Shteteve të Bashkuara për mungesën të respektit në Iran për të drejtat e njeriut dhe për gjyqësinë e paanshme.

“Ne rregullisht dhe publikisht i kemi shprehur shqetësimet tona për të drejtat e njeriut në Iran nëpër një varg të kanaleve”, tha Elizabeth Trudeau.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG