Ndërlidhjet

Demarkacioni pret konsensusin politik deri më 1 shtator


Veseli: Qëndrim konform interesave të qytetarëve
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:09 0:00

Kryetari i Kuvendit - Kadri Veseli

Kuvendi i Kosovës pritet që të marrë vendim për apo kundër ratifikimit të Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi më 1 shtator. Kjo datë është caktuar nga Kryesia e Kuvendit, në mbledhjen e mbajtur me shefat e grupeve parlamentare.

Ndonëse ishte paraparë që kjo seancë të mbahet gjatë kësaj jave, Kryesia ka marrë vendim që ajo të shtyhet deri në fillim të muajit të ardhshëm, për të gjetur ndonjë konsensus midis palëve, pushtetit dhe opozitës.

Blerja e kohës, për një konsensus politik, ishte një domosdoshmëri për spektrin politik në kohën e rritjes së tensioneve politike. Në kundërshtim të vendimit që po përgatitet në Kuvend rreth Marrëveshjes për Demarkacion, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka hedhur sot gaz lotsjellës në ambientet ku mbahej mbledhja e Kryesisë së Kuvendit.

Ky veprim është dënuar ashpër nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, duke i quajtur fëmijërore veprimet e tilla të Vetëvendosjes.

“Nëse mendon dikush që do të përfitojë politikisht nga Demarkacioni dhe Asociacioni, e ka gabim. Mallkim janë kufijtë që na kanë nda edhe do të jenë çdo herë mallkim. Por, nuk është mirë që të manipulohet me emocionet e njerëzve dhe të paraqitet se dikush po e shet vendin e vet. Kemi me pasë qëndrim politik, i cili është konform interesave të qytetarëve dhe atdheut dhe i cili nuk do ta cenojë pavarësinë e Kosovës”.

“Por, nëse mendoni që me emocione kemi me e mbrojtë ndonjë kufi, atëherë le të mendojë dikush se po e rrezikojnë këtë shtet të cilin e kemi fituar me shumë sakrifica të shumta”, ka thënë Veseli.

Përcaktimi për dhe kundër Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi ka kthyer gazin lotsjellës në Kuvend, kërcënimet për përshkallëzimin e gjendjes së sigurisë dhe fjalorin fyes politik.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, i ka quajtur “derra” liderët e institucioneve të Kosovës, përkatësisht, presidentin Hashim Thaçi, kryeministrin Isa Mustafa dhe kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli. Ai ka bazuar analogjinë në librin “Ferma e Kafshëve”, të autorit, George Orwell, duke thënë se “këta të tre, si krerë shteti, janë tre derra që po e shkelin demokracinë”.

“Këta janë derrat në skenën tonë politike, me Isa Mustafën si krye-derri. Këta derra po duan ta shndërrojnë Kosovën në fermë të kafshëve, mu sikur në librin e George Orwellit, organizim represiv kundër Republikës”, ka thënë Ymeri.

Ymeri ka thënë se Marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi nuk duhet të ratifikohet assesi në Kuvend. Në të kundërtën ka paralajmëruar se vendi mund të futet në një krizë të thellë, për çka, sipas tij, përgjegjësinë do ta bartin vet udhëheqësit e institucioneve që po insistojnë në miratimin e këtij versioni të demarkacionit.

Fjalorin e përdorur nga Visar Ymeri e ka dënuar ashpër Partia Demokratike e Kosovës, duke e cilësuar si një fjalor fyes dhe të padëgjuar deri tani në skenën politike të Kosovës.

Po ashtu, edhe dy liderët e tjerë opozitar, Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Fatmir Limaj, kryetar i partisë Nisma, kanë kërkuar nga deputetët që të mos e votojnë versionin aktual të Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi.

Haradinaj ka thënë se një marrëveshje e tillë i humbë Kosovës mbi 8 mijë hektarë tokë dhe duhet refuzuar.

“Ky projektligj është i gabuar dhe është kundërshtuar ashpër nga opozita, ekspertët dhe nga qytetarët e Kosovës. Por për habi vazhdon insistimi i qeverisë dhe po bën një gabim të rëndë. Ju bëj thirrje deputetëve të mos e bëjnë këtë gabim duke votuar pro Demarkacionit”, ka thënë Haradinaj.

Opozita ka paralajmëruar se do t’i ndërmarr të gjitha masat, përfshirë edhe ato radikale, për të penguar ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi, sipas marrëveshjes aktuale.

Ndërkohë, analistët politik dhe njohës të çështjeve të sigurisë, u kanë bërë thirrje si pushtetit ashtu edhe opozitës, që t’i lënë anash fyerjet dhe të gjejnë zgjidhje përmes dialogut.(REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG