Ndërlidhjet

Mungesa e vullnetit politik, sistemi i brishtë i drejtësisë dhe papërgjegjshmëria janë vetëm disa nga faktorët që konsiderohen se po pengojnë luftën kundër korrupsionit në Kosovë. Përfaqësuesit e organizatave joqeveritare thonë se në Kosovë, sipas hulumtimeve që janë bërë, perceptimet për nivelin e korrupsionitjanë ende në nivel të lartë.

Artan Canhasi, nga Instituti Demokratik i Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se në Kosovë ekzistojnë shumë ligje që mundësojnë luftën e ashpër kundër korrupsionit. Por ato, sipas tij, nuk po zbatohen nga organet kompetente.

“Kemi shumë organe që thirren se e luftojnë korrupsionin, por ato nuk bashkëpunojnë me njëra tjetrën. Pra, gjithë këto mekanizma të kontrollit nuk funksionojnë dhe e kemi njëgh situatë ku njerëzit për të cilët ka dyshime të fuqishme që janë të korruptuar nuk dënohen”, thekson Canhasi.

Ai thotë po ashtu se të gjitha hulumtimet vendore dhe ndërkombëtare, që flasin për korrupsionin, tregojnë se kjo dukuri është e pranishme në pothuajse të gjitha institucionet.

“Ajo çka kemi vërejtur është se ekziston një mungesë e llogaridhënies së përgjithshme dhe integriteti. Çka do të thotë kjo në praktikë? - Nëse dikush është anëtar i bordit apo udhëheqës i një ndërmarrjeje publike, vetëm nëse e shkel ligjin, atëherë jep llogari penale, por asnjëherë nuk e kemi vërejtur që mbikëqyrësit, sikur parlamenti apo qeveria, ta kenë shkarkuar dikë nga bordi për shkak se nuk ka treguar performancë të mirë”, thotë Canhasi.

Shqetësimin e tij për korrupsionin dhe pa ndëshkueshmërinë e këtij fenomeni negativ e ka shprehur sërish edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Greg Delawie. Ai ka kërkuar luftë të pandalshme ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Prandaj, nuk është befasi që sondazhe të shumta publike e theksojnë korrupsionin si një prej çështjeve që i shqetëson më së shumti qytetarët e Kosovës. Askujt, që i përcjell lajmet së voni, nuk mund t’i ikën konkluzioni që korrupsioni, nepotizmi dhe patronazhi mbeten gjallë dhe mirë, duke lulëzuar në një kulturë të pa ndëshkueshmërisë”, ka thënë Delawie.

Në anën tjetër, Petrit Zogaj, analist dhe drejtor ekzekutiv i organizatës "Fol", në një prononcim për Radion Evropa e Lirë konsideron se Kosova radhitet në nivel të lartë të korrupsionit në rajon, dhe jo vetëm në nivel perceptimi, por edhe nga përvoja direkte që qytetaret kanë pasur.

"Pse nuk ka pasur rezultat luftimi i korrupsionit? - Besoj që duhet kërkuar ekskluzivisht tek elita politike dhe institucionale dhe padyshim edhe misionet ndërkombëtare që kanë administruar me Kosovën. Mirëpo, ajo çfarë më së shumti ka bërë që korrupsioni të mos luftohet është mbështetja që elita e korruptuar me raste ka marrë nga faktorët ndërkombëtarë në Kosovë", është shprehur Zogaj.

Për nivelin e lartë të korrupsionit, siç thotë Zogaj, fajtorë janë edhe vetë qytetarët, të cilët, sipas tij, po lejojnë që elita politike të bëjë atë që është duke bërë.

"Pra, ne nuk jemi aktivë, nuk bëjmë presionin e duhur, nuk marrim pjesë në mënyrë aktive në qeverisje, duke iu lënë hapësirën e nevojshme kastës sunduese që të bëjë çfarëdo që iu vjen në duar. Ne duhet t’ia bëjmë të qartë vetes se nuk ka asnjë mision ndërkombëtar që do të vijë në Kosovë për ta luftuar korrupsionit", ka thënë Zogaj për Radion Evropa e Lirë.

Rezultatet konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, sidomos të nivelit të lartë, tashmë janë shndërruar në kusht për Kosovën nga ana e Komisionit Evropian, për liberalizim të vizave.

Kosova konsiderohet vendi më i varfër në Evropë dhe me shkallë të lartë të papunësisë. Por, pavarësisht këtyre fakteve, Kosova ka edhe elitën e vet politike, që në të shumtën e rasteve përbëhet jo vetëm nga biznesmenë, por nga zyrtarë të lartë të institucioneve qendrore dhe lokale, që figurojnë si milionerë me pasuritë e tyre. (REL)

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG