Ndërlidhjet

DASH: Kosova me ligje të mira, por ende me probleme fetare

  • RFE /RL

Foto nga arkivi

Foto nga arkivi

Raporti vjetor i Departamentit amerikan të Shtetit ka lavdëruar Kushtetutën e Kosovës sa i përket lirive fetare duke thënë qysh në përmbajtje të raportit për vitin 2015 se “Kushtetuta ndalon diskriminimin fetar dhe ofron liri për besimtarët”.

Por, megjithëse në aspektin ligjor Kosova qëndron mirë, raporti vjetor i DASH potencon jo pak incidente me karakter fetar, ndonëse aty thuhet që shpesh për shkak të situatës në vend është e vështirë të ndash problemet që kanë karakter etnik dhe atë fetar.

Kjo ndodhë sidomos me rastet e komunitetit serb për shkak të asaj që në Kosovë, Kisha Ortodokse Serbe shikohet edhe nga këndvështrimi etnik, e jo patjetër atë fetar.

Qeveria dhe pushteti në Kosovë ka ndërmarrë disa veprime që të parandalojë ekstremizmin e dhunshëm fetar në Kosovë duke bashkëpunuar me komunitetin mysliman thuhet në raport, por incidentet sidomos ndaj disa grupeve të caktuara myslimane kanë vazhduar edhe vet brenda Bashkësisë Islame të Kosovës.

“Më 13 nëntor, Bashkësia e Tarikateve të Kosovës ka thënë se dervishët e tyre janë ‘përzënë ashpërsisht’ nga Xhamia e Pehlivanit në Pejë nga Imami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Enes Goga”, thuhet në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit i cili kujton se i njejti në shtator të vitit 2014 është arrestuar me akuzën se predikon ekstremizëm, jo tolerancë fetare dhe urrejtje racore.

Raporti më tej e përmend se Shejhi i Tarikatit Halveti, Ardian Juniku është ankuar në Bashkësinë Islame të Kosovës edhe për shkak të publikimeve në YouTube të Imamit “Enes Goga ku ai bënë thirrje për përjashtimin e të gjithë pjesëtarëve të Bashkësisë së Tarikateve të Kosovës nga të gjitha xhamitë”.

Raporti gjithashtu përmend që më 19 qershor një imam në fshatin Llapushnik të Gllogocit së bashku me disa besimtarë e kanë shkatërruar një mur që rrethonte një zonë ndërtimi për varrezave katolike dhe të një kishe në këtë fshat.

Bashkësia e Tarikateve të Kosovës gjithashtu ka raportuar edhe incidente të tjera, përfshirë edhe dëmet e mëdha të shkaktuara qëllimisht ndaj varrit të një shenjtoreje Sufi nga shekulli i 15-të.

Policia e Kosovës ndërkaq, deri në muajin gusht ka regjistruar 34 incidente për uzurpim, vjedhje apo dëmtim të pronave të Kishës Ortodokse Serbe.

“Demonstruesit shqiptarë etnik, me dyshimin se janë organizuar nga politikanë, kanë gjuajtur me gurë kanë bërë përpjekje që të ndalojnë peligrinët ortodoksë sebe që të marrin pjesë në meshën e krishtlindjeve ortodokse në Kishën Serbe në qytetin e Gjakovës”, përmendet një nga incidentet në kuadër të raportit.

Raporti i Departamentit amerikan të Shtetit gjithashtu e potencon dështimin e autoritetit në Kosovë të miratojë projektligjin që mundëson regjistrimin e grupeve fetare.

Ndërkaq në Shqipëri, raporti i DASH vlerëson se shteti mban qëndrim neutral duke garantuar liritë e grupeve fetare, bile i financon edhe katër nga pesë komunitetet fetare të njohura zyrtarish sipas shtetit shqiptar.

Ankesat kryesore të grupeve fetare në Shqipëri megjithatë kanë të bëjnë me zgjidhjen e kontesteve pronësore mbi të cilat kanë pretendime këto komunitete.

Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për Liritë Fetare gjatë vitit 2015 vlerëson se në botë, shkelësit më të mëdhenj të lirive fetare janë organizatat ekstremiste, Shteti Islamik dhe Boko Haram.

Përgatiti: Artan Haraçia

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG