Ndërlidhjet

Bankat komerciale që veprojnë në Kosovë ka kohë që kanë shtrenjtuar tarifat për klientët e tyre.

Ekspertët për çështje financiare konsiderojnë se me rritjen e çmimit të këtyre tarifave, bankat po obligojnë qytetarët dhe bizneset që në disa raste transferet e nevojshme t’i realizojnë me para të gatshme, dhe jo përmes kanaleve bankare.

Në anën tjetër, shtrenjtimi i këtyre tarifave, sipas zyrtarëve të bankave, është bërë për të inkurajuar klientët që të shfrytëzohen shërbimet elektronike, siç janë bankomatët dhe e-banking dhe mos të presin në radhë para sporteleve.

Mejdi Bektashi, profesor në Universitetin e Prishtinës, ka thënë se me çmimet e shërbimeve, bankat komerciale kanë përfitime të mëdha. Burimi i parë i përfitimeve, sipas tij, janë të ardhurat që bankat i realizojnë nga kamatat e larta të kredive, kurse 30 për qind e fitimit të bankave rrjedh nga shërbimet tjera.

“Në këtë rast nëse analizohet territori dhe numri i banorëve dhe kapitali i angazhuar në vend, del se bankat komerciale në Kosovë në krahasim më shtete e rajonit, kanë profite më të larta".

"Problemi qëndron po ashtu edhe në mos arsimimin financiar të qytetarëve, që, shpesh herë për shkak të mos njohurive, paguajnë çmime shumë të larta të këtyre shërbimeve elektronike”, ka thënë Bektashi për Radion Evropa e Lirë.

Ndryshe, në vitin 2015, profiti i realizuar i bankave ka arritur në 61.3 milionë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 22.1 për qind.

Në kuadër të te hyrave, sipas Bankës Qendrore të Republikës se Kosovës, të hyrat nga interesi i kamatave të kredive kaba shënuar rënie, ndërsa, të hyrat nga tarifat dhe komisionet shënuan rritje vjetore prej 2.0 për qind.

Edhe Milazim Abazi, ekspertë për këtë fushë, thotë se bankat duhet që të që të koncentrohen që të gjitha transferët të realizohen për mes kanaleve bankare dhe jo të largojnë klientët nga bankat.

”Është interes i Kosovës dhe i qytetarëve të saj, se çdo transaksion financiar bankar, monetar të realizojnë përmes bankave, në mënyrë që t'i ikin parave në dorë më dorë. Por, për të ndodhur kjo bankat duhet t'i ulin çmimet, kurse bankat do të përfitonin nga rritja e numrit të transaksioneve”, shprehet Abazi për Radion Evropa e Lirë.

Në disa degë të bankave komerciale në Kosovë nuk ka mundësi as një shërbim të përfundojë në sportele, vetëm në bankomat.

Kjo ka bërë që të shkurtohet apo zvogëlohet dukshëm numri i punëtorëve, në sektorin bankar, thotë Mejdi Bektashit, duke shtuar se në këtë mënyrë përfitimet e bankave janë të mëdha, pasi nuk kanë nevojë të paguajnë punëtorë.

“Bankat për të rritur sigurinë e tyre ndaj klientëve, por në anën tjetër për të rritur profitet e tyre duke zvogëluar numrin e të punësuarve, thuajse se të gjitha shërbimet e tyre, po i ofrojnë në formë elektronike."

"Është një tendencë që po ndodh edhe në shtet e rajonit, por në Kosovë çmimet e këtyre shërbimeve janë shumë më të larta se në shtetet e rajonit”, tha Bektashi.

Për të tërhequr mjete apo marrë pagën në sportelet brenda bankave duhet të paguash 1.50 euro. Për të paguar ndonjë faturë të nevojshme, tarifat fillojnë nga dy euro deri në pesë euro në disa banka, nëse nuk je klient i atij institucioni.

Por, edhe për të marrë gjendjen e llogarisë rrjedhëse është obligim të paguhet 2.50 euro. (REL)

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG