Ndërlidhjet

Rusia dhe Ukraina sërish në gjendje gatishmërie për luftë


Presidenti rus, Vladimir Putin ka mbajtur takim të Këshillit të Sigurisë për të diskutuar masat e shtuara për Krimenë derisa Moska e akuzon Kievin se po bën përpjekje të destabilizojë gadishullin në fjalë.

Në anën tjetër, presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, ka udhëzuar të gjitha njësitë ushtarake afër kufirit me Krimenë, tashmë të okupuar nga Rusia që të jenë në nivelin më të lartë të gatishmërisë për luftë.

Prej 10 gushtit, Moska dhe Kievi janë shtyer me akuza e kundërakuza se cili shtet po bënë përpjekje për destabilizim të situatës, ndërsa shenjat janë për një konflikt të ri në atë rajon.

“Natyrisht që ne nuk do të lejojmë që sabotimet të kalojnë pa reagim”, ka thënë presidenti rus, Putin pas lajmit se një ushtar dhe një agjent rus janë vrarë në përballje me ukrainasit.

Petro Poroshenko nga Ukraina ka reaguar menjëherë duke thënë se komentet e Moskës janë “të pakuptimta dhe cinike”.

Akuzat e Moskës i vlerësuar njejtë edhe Ambasadori i përhershëm i Ukrainës në OKB, Volodimir Jelçenko.

"Më 10 gusht, presidenti Putin ka bërë një deklaratë në të cilën ai e akuzon Ukrainën se ka bërë provokime përgjatë kufirit me Krimenë, duke akuzuar Ukrainën se po bën terror në vend të arritjes së zgjidhjeve paqësore të konfliktit, diçka që tingëllon absolutisht qesharake”, ka thënë ambasadori Jelçenko.

Mirëpo, deklarimet e zyrtarëve rusë janë ashpërsuar vetëm 24 orë pas akuzave të liderit rus, Putin kundër Ukrainës.

Kryeministri i dhunshëm i Krimesë i vendosur në këtë pozitë nga Moska, Sergej Aksjonov, gjatë një interviste telefonike me një televizion rus ka thënë se sabotatorët ukrainasë duhet varur përgjatë kufirit me Ukrainën.

"Sabotatorët duhet të trajtohen ashtu siç i trajtojnë fermerët sorrat që mundohen t’iu vjedhin të mbjellat...ata duhet vrarë dhe duhet varur në kufi që edhe të tjerët ta kuptojnë mesazhin”, ka thënë Aksjonov.

Akuzat e Rusisë ndaj Kievit për destabilizimin e Krimesë janë hedhur poshtë edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ambasadori i Uashingtonit në Ukrainë thotë se Shtetet e Bashkuara nuk kanë parë asgjë që vërteton pretendimet ruse për një sulm të Ukrainës në Krime.

Geoffrey Pyatt, përmes një postimi në Twitter më 11 gusht, tha se “Rusia tashmë e ka një histori të akuzave të pavërteta ndaj Ukrainës, për të shmangur vëmendjen nga veprimet e saj ilegale”.

Arsyeja e akuzave ruse vlerësohet të jetë një shenj e radhës për veprime të dhunshme në rajon nga Moska.

"Ne ende shpresojmë që kjo nuk do e çojë konfliktin në një nivel tjetër. Por, fatkeqësisht kjo duket shumë e mundshme”, ka thënë përfaqësuesi i përhershëm i Ukrainës në OKB, Jelçenko.

Zhvillimet e fundit kanë goditur edhe ato përpjekje për arritje të paqes. Presidenti rus, Putin ka thënë se takimi katër palësh që do të mbahej muajin e ardhshëm në Kinë nuk ka kuptim të mbahet.

Takimi ku krahas Rusisë dhe Ukrainës do të përfshinte edhe Gjermaninë dhe Francën do të zhvillohej në margjinat e samitit të 20 vendeve më të zhvilluara të botës në Hangzhou, më 4 dhe 5 shtator.

Përgatiti: Artan Haraçia

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG