Presidenti I Ukrainës, Petro Poroshenko, tha se ai dëshiron të bisedojë direkt me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin dhe me disa liderë të Perëndimit, në kohën kur janë acaruar marrëdhëniet ndërmjet Kievit dhe Moskës.
Zyra e Poroshenkos njoftoi sot se ai ka kërkuar nga Ministria e Jashtme e vendit që të aranzhojë një bisedë telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin, presidentin francez, Francois Hollande, kancelaren gjermane, Angela Merkel, zv/presidentin amerikan, Joe Biden dhe presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk.
Kjo kërkesë vjen në kohën kur Moska ka akuzuar Kievin se po provon ta destabilizojë Krimenë, përmes diversantëve.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka akuzuar dje qeverinë e Ukrainës për “terror”, pasi një agjent rus dhe një ushtar thuhet se u vranë në Krime, në përpjekje për t’i penguar diversantët.
Presidenti ukrainas, Petro Poroshenko, i ka quajtur pretendimet e Moskës si “të pakuptimta dhe cinike”.