Ndërlidhjet

Gjashtë ditë pas vërshimeve në Maqedoni, akoma nuk është tërhequr uji nga shtëpitë e përmbytura. Në fshatrat e vërshuara në rrethinën e Shkupit ka filluar të kundërmojë erë e rëndë, banorët e këtyre viseve thonë se duhet të punohet më intensivisht në tërheqjen e ujit për të larguar kafshët e ngordhura të cilat paraqesin rrezik të lartë për shfaqjen e ndonjë epidemie.

Ndërkaq, Nedellco Krsteski nga qyteti i Shkupit, thotë se ekipet e specializuara në tërren kanë arritur të tërheqin ujin tërësisht në një vendbanim edhe atë Inxhikovë përderisa në vendbanimet tjera si Hasanveg, Haqçinë, Stajovc, Stracincë dhe Smillovë intenzivisht punohet.

“Në teren janë shpërndarë më shumë njësitet që punojë me pompa për tërhejen e ujit, ekipe të e zjarrfikësve, bagerë për tërheqjen e mbeturinave, pra punohet intenzivisht, por duke pasur parasysh se bëhet fjalë për një teren më të gjerë, nevojitet kohë", thotë Kërsteski.

Bekimi nga Hasanbegu teksa ec me çizme të gomës në oborrin e shtëpisë së tij e cila në katin e poshtëm është tërsisht e përmbytur, thotë se gjendja bëhet gjithnjë e më alarmuese pasi kafshët e ngordhura nuk arrijnë t'i tërheqin nga oborret dhe rrugët e lagjeve.

“Gjendja siç e shihni është katastrofë, jemi në një situatë të vështirë ndërkohë që ndihmë për të pastruar kanalet që të tërhiqet uji nuk kemi nga askush".

"Pompat për tërheqjen e ujit këtu nuk janë sistemuar, sa kemi mundur kemi tentuar ta largojmë ujin nga shtëpitë, por kjo gjë është shumë e vështirë përderisa rrjedha e kanalit është e bllokuar”, thotë Bekimi.

Deri më tani janë hospitalizuar katër fëmijë me infektime bakteriale nga zonat e vëshuara, njoftojnë nga Klinika e Fëmijëve për Sëmundje Infektive.

Për sot ishte paralajmëruar spërkatja e zonave të vërshuara me mjete për dezinfektim, por kjo është shtyrë për ditët në vijim për shkak të kushteve jo stabile atmosferike dhe erës së fuqishme e cila do ta pengojë fluturimin e aeroplanëve.

Por, mjekët thonë se dezinfektimi është i kotë përderisa nuk është tërhequr uji dhe balta sepse bakteret nuk zhduken përderisa ka lagështi.

Mjekët thonë se problemi më i madh për mbrojtje nga shfaqja e epidemive është ajo se popullata nga viset e vërshuara nuk është evakuuar, madje mbi 95 % e tyre ndodhen në shtëpi gjysmë të përmbytura ku lëvizja bëhet në ujërat me baktere fekale.

Nikolla Panovski thotë se dezinfektimi i këtyre zonave mund të bëhet vetëm pasi të jetë tërhequr plotësisht uji dhe të ketë tharë mirë hapësirat.

“Do të nevojiten disa muaj që të jetë e sigurt për të jetuar në shtëpitë që përmbyten nga vërshimet sepse një pjesë e baketrieve jetëgjatësinë e kanë deri në tri javë, por disa të tjera kanë jetëgjatësi prej mbi tre muaj sepse bëhet fjalë për një zonë të ngjeshur me shtëpi me hapësira ku shumë pak depërton dielli i cili ndihmon në asgjësimin e baktereve”, thotë Nikolla Panovski.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG