Ndërlidhjet

logo-print

Putin e transferoi këshilltarin e tij kryesor

  • RFE /RL

Në një ndërrim madhor në Kremlin, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e ka transferuar shefin e kabinetit të tij, Sergei Ivanov, njëherësh njëri nga aleatët më të afërt të tij, në një pozitë me shumë më pak ndikim.

Zyra e shtypit e Kremlinit ka njoftuar dje se me urdhër të Putinit “është liruar nga detyrat e tij Sergei Ivanov”, që sipas presidentit, është bërë në harmoni me një aranzhim të mëparshëm.

Zoti Ivanov është ish-oficer i KGB-së, që nën Putinin ka shërbyer si ministër i mbrojtjes dhe zëvendëskryeminsitër. Putin ka thënë se vet Ivanov kishte kërkuar të lëvizte, pasi ai kishte qenë shumë gjatë në postin e tij si shef i administratës presidenciale.

Zoti Ivanov do ta mbajë vendin e tij në Këshillin e Sigurisë së presidencës.

Pak kohë pas urdhërit të Putinit, televizioni shtetëror i Rusisë ka tranasmetuar pamje të takimit ndërmjet Putinit, Ivanovit, dhe shefit të ri të kabinetit të presidencës, Anton Vaino.

“Jam i lumtur që ju i keni dorëzuar detyrat e juaja të punës”, i tha Putin Ivanovit, i cili ishte shef i kabinetit të Putinit, prej dhjetorit të vitit 2011.

“Më kujtohet mirë aranzhimi jonë që ju patët kërkuar nga unë që të mos ju mbaj më tepër se katër vite në postin e shefit të administratës presidenciale dhe ja përse unë e kuptoj dëshirën tuaj për të zgjedhur një linjë tjetër të punës”, tha Putin.

Kjo lëvizje u bë, derisa Rusia vazhdon të merret me krizën ekonomike dhe afro një muaj para zgjedhjeve parlamentare kombëtare.

Në vitin 2008 Sergei Ivanov ishte konsideruar pasardhës i mundshëm i Putinit, kur presidenti aktual nuk kishte konkurruar për të tretën herë me radhë për mandatin në presidencë. Megjithatë, zoti Putin e kishte zgjedhur Dmitry Medvedevin për të garuar për president.

Në një lëvizje, që është parë si simbolike, Putin e ka emëruar Sergei Ivanovin, të dërguar special për transport dhe ambient, që është pozicion i ulët për një person, që dikur konsiderohej njëri nga njerëzit më me ndikim në Rusi.

Në komentet televizive, Ivanov, 63 vjeçar, e falënderoi Putinin për “vlerësimin e lartë të punës së tij gjatë 17 viteve”, qartas duke e pranuar se karriera e tij politike esencialisht ka përfunduar.

Ivanov, që përshkruhej si një skifter kundërshtues, që ka shërbyer si ministër i mbrojtjes në perudhën 2001-2007, ishte emëruar shef i Kremlinit vetëm disa muaj para zgjedhjes së Putinit për mandatin e tij të tretë presidencial, në vitin 2012.

Loja e Fronit në Kremlin

Sergei Ivanov është aleati i fundit i Putinit që shtyhet anash. Gjatë vitit të kaluar, shefi i Hekurudhave të Rusisë, Vladimir Yakunin, pastaj shefi i antinarkotikëve, Viktor Ivanov, dhe shefi i sigurisë publike, Yevgeny Murov, i kishin humbur postet e tyre.

Megjithëkëtë, lajmi për riformatimin e presidencës ishte befasi për shumë vetë në Moskë.

Analisti politik, Mikhail Troitskiy, ka sugjeruar për agjencinë gjermane DPA, se shkarkimi mund të jetë për shkaqe shëndetësore dhe për përkushtimin e Putinit për “t’i zhvendosur në pozita më të ulëta pjeëstarët e gardës së vjetër” dhe për t’i rekrutuar profesionistët e rinj.

Kush është Anton Vaino?

Pasardhësi i zotit Ivanov, Anton Vaino, nuk është personalitet shumë i njohur publik në Rusi.

Megjithatë, analisti politik, Valery Solovey, i tha Redaksisë ruse të Radios Evropa e Lirë, se nga elita politike ruse, emërimi i Vainos ishte pritur prej muajit prill.

Ai e ka përshkruar Vainon si një “favorit absolut” të Putinit.

“Putini në mënyrë komplete i beson atij”, tha analisti Solovey dhe ka shtuar se “Vaino e ka dëshmuar vetveten se është administrator shumë i kualifikuar dhe menaxher shumë i mirë”.

Përdoruesit e mediave sociale i kanë postuar disa fotografi të zotit Vaino në ngjarjet e kaluara në Kremlin, përfshirë edhe një ku ai, si shef i protokollit, ia mbante ombrellën presidentit.

Vaino, 44 vjeçar, ka punuar në Ambasadën e Rusisë në Japoni dhe ishte zëvendës i Ivanovit në administratën e Kremlinit prej vitit 2012.

Gjyshi i tij, Karl Vaino, ishte shef i partisë Komuniste në Estoninë e ish-Bashkimit Sovjetik, në periudhën 1978 – 1988.

Ai tash do të ketë një pozicion të fuqishëm, pasi do të merret me përgatitjen e ligjeve për presidencën dhe dërgimin e tyre në parlament, do ta monitoroj zbatimin e këtyre legjislacioneve dhe do të përgatis analiza të çështjeve të brendshme dhe të jashtme për presidentin.

Vladimir Putin i ka kryer disa ndërrime të zyrtarëve të lartë rajonalë në muajin korrik, në lëvizje që ekspertët kanë sugjeruar se është kryer për t’i shtuar gjasët e Kremlinit para zgjedhjeve parlamentare në muajin shtator.

Zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Rusi zhvillohen në vitin 2018. Gjërësisht pritet që Putin do të garoj edhe për mandatin e katërt presidencial.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG