Ndërlidhjet

Olimpiada goditet nga moti i keq, vonesat, tragjedia, por ka edhe gëzime


Holanda kundër Argjentinës, gara në hokej
Holanda kundër Argjentinës, gara në hokej

Dita e djeshme, e 10-ta me radhë e Lojërave Olimpike në Rio-de-Zhaneiro, është goditur nga moti i keq, shtyrjet, shqetësimet e sigurisë dhe kundërthënie të tjera, megjithëse disa sportistë nga Uzbekistani e deri në Bahrein u janë gëzuar pa masë medaljeve të fituara.

Gjimnastja amerikane, Simone Biles, megjithëse pritej, ka dështuar ta fitojë edhe medaljen e katërt të artë, pas një lëkundjeje të keqe, që e rrezikoi balancimin e saj në ushtrimin në shtyllën horizontale, kështu që ajo u plasua në vendin e tretë dhe e fitoi vetëm medaljen e bronztë.

Ky gabim i mundësoi koleges së saj të ekipit, Lauri Hernandez, ta kalojë atë duke e fituar medaljen e argjendtë, ndërsa e arta i takoi holandezes, Sanne Wevers.

Nga ana tjetër, Olimpiada është tronditur nga lajmi se trajneri i kanuistëve gjermanë, Stefan Henze, ka vdekur nga lëndimet që i kishte pësuar javën e kaluar në një aksident trafiku.

Çiklisti i Koresë Jugore, Park Sang-Hoon, është dërguar në spital direkt nga shtegu i garave, pasi u rrëzua dhe u lëndua në qafë.

Moti i keq ka ndikuar në shtyrje të garave në atletikë, duke u mundësuar vrapuesve në shtigje me pengesa, paraqitja e të cilëve ishte penguar nga shiu i hershëm, që eventualisht të përmirësohen.

Nga ana tjetër, lundruesit me anije me vela kanë pasur pak erë në ujërat në Guanabara Bay, ndërsa më vonë era ishte shumë e fortë dhe rrjedhimisht, garat e meshkujve dhe të femrave në këtë disiplinë janë shtyrë për një ditë.

Stadiumi i hokejit në Deodoro është ballafaquar me tym dhe hi nga një zjarr i përhapur nga era.

Atleti Usain Bolt nga Xhamajka, që është njeriu më i shpejtë në botë dhe njëri nga yjet më të njohura në Lojërat Olimpike në Rio-de-Zhanejro të Brazilit, tha se ka vrapuar më ngadalë për shkak të orarit të ngjeshur të atletikës në kalimin prej gjysmëfinaleve në garat finale.

Bolt pati start të ngadalshëm, por e rimori veten shpejt dhe përfundimisht fitoi në vrapimin në 100 metra, duke e siguruar edhe medaljen e tij të tretë të artë.

Në ditën e 10-të të garave olimpike, një kundërthënie e madhe ka ndodhur në takimin final të boksit në kategorinë e rëndë. Përfaqësuesi i Rusisë, Yevgeny Tishchenko e fitoi medaljen e artë, duke e mundur rivalin nga Kazakistani, Vassily Levit, me gjithë fishkëllimat ndaj vendimit unanim të gjyqtarëve.

Dukej se Levit kishte dominuar në këtë duel, por gjyqtarët e shpallën fitues Tishchenkon. Këtë vendim Levit e pranoi me lot në sy, ndërsa shikuesit, shumica prej tyre brazilianë, me fishkëllima e “shpërblyen” vendimin e referëve.

“Me të vërtetë jam i shqetësuar me reagimin e shikuesve”, tha boksieri Tishchenko dhe shtoi se “bëra çdo gjë të mundshme për ta fituar medaljen e artë”.

Olimpiada u ballafaqua edhe me shqetësim madhor të sigurisë, pasi një kamerë gjigante u rrëzua në tokë në Parkun Olimpik, duke i lënduar shtatë spektatorë.

Organizatorët e Lojërave Olimpike, të tmerruar me plaçkitjen e armatosur të kampionit amerikan në not, Ryan Lochte, dhe tre kolegëve të tij më 4 gusht, kanë kërkuar falje publike.

“Ne shprehim keqardhje që dhuna ka arritur aq afër sportistëve”, tha zëdhënësi i Lojërave Olimpike, Mario Andrada.

Megjithëse ka pasur mjaft lajme të këqija, për fat të mirë ka shumë tregime të lumtura për sportistët, siç është ai për gjimnasten holandeze, Sanne Wevers dhe për seleksionin e Uzbekistanit, që ka arritur fitore të rrallë gjatë garave.

Ruslan Nuredinov i Uzbekistanit e ka fituar medaljen e artë në kategorinë e peshëngritësve deri në 105 kilogramë, që është e para në historinë e vendit të tij.

Ruth Jebet e fitoi medaljen e parë Olimpike të artë për Bahreinin në histori, pas fitores në 3 mijë metra vrapim me pengesa për femra.

Përfundimisht, Ri Se-gwang u bë sportisti i parë i Koresë Veriore që ka fituar në garat e gjimnastikës për meshkuj.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG