Ndërlidhjet

Moska: Jemi afër një marrëveshjeje me SHBA-të për Alepon

  • RFE /RL

Aleppo, 2 gusht 2016

Aleppo, 2 gusht 2016

Ministri rus i Mbrojtjes ka thënë se Moska dhe Uashingtoni janë afër një marrëveshjeje që do të zgjidhte krizën humanitare në qytetin e rrethuar të Sirisë, Alepo.

“Hap pas hapi, ne po i afrohemi pajtimit, po flas ekskluzivisht për Alepon, një marrëveshjeje që do të na lejonte neve të gjejmë bazë të përbashkët dhe të fillojmë të luftojmë së bashku që të sjellim paqe në atë territor, që njerëzit të mund të kthehen në shtëpitë e tyre”, ka thënë Sergei Shoigu për televizionin rus, “Rossiya 24”.

Shoigu ka shtuar se përfaqëuesit rusë janë “në një fazë aktive të bisedimeve me kolegët tanë amerikanë”.

Duke luftuar për Alepon, kryeqyteti i dikurshëm ekonomik dhe qyteti më i madh i Sirisë, është bërë pika kryesore e përplasjeve në luftën gjashtë vjeçare civile.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se megjithatë, marrëveshja nuk është afër të arrihet.

“Nuk kemi asgjë të re të themi momentalisht”, ka thënë zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Elizabeth Trudeau dhe ka shtuar që “ne mbesim në kontakt të afër (me zyrtarët rusë)”.

Rusia dhe SHBA-të janë duke diskutuar koordinim më të madh në Siri, por ende nuk kanë arritur deri te një marrëveshje përmes së cilës do të merreshin me grupet militante.

Rusia e ka kritikuar atë që e quan si ngurrimi amerikan për të nxitur grupet opozitare siriane që i përkrahë të tërhiqen nga zonat që kontrollohet nga Fronti Nusra, dega e Al Kaidës në Siri.

Shoigu gjatë një interviste televizive ka thënë se ekstremistët në Siri shpesh janë të pozicionuar afër grupeeve që Shtetet e Bashkuara i konsiderojnë të moderuara.

Nusra e ka ndryshuar emrin dhe tani përdor emrin Fath al Sham, një përpjekje kjo për të evituar sulmet ajrore amerikane dhe ruse. Shumë njerëz vlerësojnë se ndryshimi i emrit është vetëm sa për sy e faqe.

Peter Maurer, presidenti i Komitetit të Kryqit të Kuq, më 15 gusht, betejën e 15 gushtit në Alepo e ka përshkruar si “konfliktin më shkatërrues urban të kohërave moderne”.

“Askush dhe asnjë vend nuk është i sigurt. Granatimi vazhdon pa ndërprerë, shkollat dhe spitalet janë të gjitha në vijë të sulmeve. Njerëzit jetojnë në gjendje frike. Fëmijët janë të traumatizuar. Shkalla e vuajtjeve është tejmase e madhe”, ka thënë Maurer.

Kryqi i Kuq e ka përsëritur thirrjen tek të gjitha palët që të lejojnë agjencitë humanitare të dërgojnë ndihma për civilët që kanë dëshpirimisht nevojë për ushqime dhe ujë në tërë Alepon.

Shoigu ka thënë se Rusia ka dërguar ndihma në Alepo dhe është duke ndihmuar në rindërtimin e pompave për ujë të pastër. Rreth 700 mijë njerëz ende janë duke jetuar në Alepo, ndërsa banorët e pjesës lindore të qytetit janë “pengje të grupeve të armatosura”, ka thënë ai.

Dje, ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë se militantët sirianë e kanë shfrytëzuar një armëpushim të përkohshëm që të rigrupohen. (REL)

Përgatiti: Artan Haraqija

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG