Ndërlidhjet

Verifikimi i listës zgjedhore, larg dinamikës së paraparë


Ilustrim
Ilustrim

Në Maqedoni, verifikimi i të dhënave të votuesve të dyshimtë po zhvillohet me një dinamikë shumë të ulët, ndërkohë që deri në mbylljen e këtij procesin kanë mbetur edhe katër ditë.

Gjatë periudhës 20 ditore, të dhënat personale duhet t'i verifikojnë rreth 40 mijë qytetarë, por deri të martën, sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, ky numër ka arritur në rreth 5 mijë e 500 persona, shifër kjo shumë e ulët në krahasim me pritjet e institucioneve tjera të përfshirë në sensibilizimin e opinionit për nevojën e verifikimit të të dhënave.

KSHZ-ja, gjatë kësaj periudhe ka ndërmarrë një sërë masash për informimin e qytetarëve, duke hapur edhe zyra të posaçme, pa përjashtuar edhe mundësinë e paraqitjes përmes një adrese të posaçme elektronike. Aktivitete kanë ndërmarrë edhe partitë, por interesimi i personave që duhet të verifikojnë të dhënat e tyre është shumë i ulët. Personat që nuk do t'i nënshtrohen verifikimit do të humbin të drejtën e votës, në bazë të marrëveshjes së arritur mes partive për kapërcimin e krizës politike.

“Aspak nuk jam i kënaqur me rrjedhën e këtij procesi, pasi bëhet fjalë për një numër shumë të vogël të personave të paraqitur. Është e qartë se vlerësimet e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe të pushtetit në përgjithësi, janë treguar tërësisht të gabuara. T'i merret dikujt e drejta e votës së garantuar me kushtetutë përmes një procedure jo mirë të hartuar apo pa një verifikim të detajuar të gjendjes faktike, vlerësoj se paraqet shkelje flagrante të kushtetutës”, thotë Temelko Ristevski, profesor i sistemit juridik në Universitetin Fon të Shkupit.

Ai i bën thirrje KSHZ-së që të ndërmarrë masa plotësuese që këtyre personave të mos i hiqet e drejta e votës, por që ky numër të jetë sa më i vogël.

Nga ana tjetër, edhe Albert Musliu nga organizata “Iniciativa Demokratike”, thotë se procesi i pastrimit të listës nuk është realizuar si duhet, pasi shumë qytetarëve me pa të drejtë t'iu merret e drejta e votës.

Megjithatë, sipas Musliut, këta persona në të ardhmen sërish do të mund të kërkojnë të drejtën e votës, por përmes një procedure më të komplikuar.

“Gjithsesi se është shqetësuese nëse rreth 35 mijë qytetarë mbeten jashtë listës zgjedhore, por atyre askush nuk mund t'ia ndalë të drejtën e votës, vetëm se tani përfshirja e sërishme në listën zgjedhore bëhet përmes një procedure të re administrative, më të komplikuar."

"Nga ana tjetër, tek ne kishte shumë spekulime lidhur me përkatësinë etnike të këtyre votuesve, por askush nuk e ngriti çështjen se pavarësisht se përkatësisë së tyre etnike, kush eventualisht i ka keqpërdorur ato vota. Prandaj çdo përpjekje për minimizimin e keqpërdorimit të votës duhet mirëpritur”, thotë Musliu.

Përveç rreth 40 mijë personave të dyshimtë, KSHZ-ja në bazë të marrëveshjes mes partive ka hartuar edhe një listë tjetër me rreth 170 mijë qytetarë që besohet se jetojnë jashtë vendit, por e drejtat e tyre e votës nuk kontestohet. Ata janë vendosur në një listë të posaçme për të evituar manipulimet e mundshme zgjedhore.

Pas mbylljes së procesit të listës zgjedhore, mbetet edhe pika tjetër nga marrëveshja politike, kompletimi i komisionit ad-hok për monitorimin e punës së mediave në periudhën 100 ditë para zgjedhjeve. Ky komisioni do të ketë pesë anëtarë, katër prej tyre janë propozuar nga partitë, dy nga pozita dhe dy nga opozita, ndërsa anëtari i pestë do të zgjidhen nga katër anëtarët e tjerë.

Paraprakisht, Kuvendi ka miratuar edhe ndryshimet në ligjin për qeverinë, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe disa ndryshime në ligjin e mediave.

Të gjitha këto procese do të verifikohen në një takim të liderëve të caktuar më 31 gusht. Në rast të vlerësimit pozitiv, atëherë nuk përjashtohet mundësia e caktimit të datës së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Si datë e mundshme përmendet 11 dhjetori. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG