Ndërlidhjet

Bizneset në Kosovë kërkojnë sundim të ligjit


Pamje arkivi nga Prishtina
Pamje arkivi nga Prishtina

Përfaqësues të shoqatave ekonomike të cilat mbrojnë interesat e bizneseve në Kosovë kërkojnë nga autoritetet që të rrisin efikasitetin e institucioneve të drejtësisë si dhe kërkojnë sundim të mirëfilltë të ligjit.

Kjo thonë ata është parakusht për përmirësimin e ofertës para investitorëve të huaj për të cilët Kosova ka nevojë.

Këto komente janë bërë në një tryezë të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë mbi sistemin e drejtësisë dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane Arian Zeka tha se kjo tryezë është e një rëndësie të veçantë për komunitetin e bizneseve për të diskutuar mbi funksionimin e institucioneve të drejtësisë, të cilën Oda Amerikane e konsideron si vital për të garantuar mes tjerash funksionimin e institucioneve demokratike dhe ofrimin e mjedisit të barabartë për të bërë biznes.

“Rritja e efikasitetit të institucioneve të drejtësisë dhe një sundim i mirëfilltë i ligjit, është parakusht edhe për përmirësimin e ofertës para investitorëve të huaj për të cilët vendi ka nevojë”, ka thënë Zeka.

Ministrja e Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Dhurata Hoxha thotë se
infrastruktura ligjore dhe zbatimi i ligjit janë parakushte të të bërit biznes në Kosovë.

Sipas saj, në mesin e problematikave në sistemin e drejtësisë, numri i madh i lëndëve paraqet problem kyç për sistemin e sundimit të ligjit.

“Duhet të fokusohemi në sundimin e ligjit mbi bazën e transparencës, efikasitetit dhe llogaridhënies. Hapësirë e veçantë duhet t’i jepet edhe legjislacionit komercial, i cili luan rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik te vendit”, ka theksuar Hoxha.

Ndryshe, përfaqësues të investitorëve evropianë në Kosovë, vazhdimisht iu kishin bërë thirrje institucioneve të Kosovës, që të fokusohen në krijimin e një klime më të favorshme për investitorët e huaj, pasi që në të kundërtën, ata siç do të vijnë, ashtu edhe do të largohen nga Kosova pa investuar.

XS
SM
MD
LG